Hapen studime Master për Arkeologji në Gjirokastër, Kumbaro: Trashëgimia kulturore si motor zhvillimi për rajonin

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka qenë sot prezente në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, ku është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Mançeratës në Itali.

Ndër pikat e tjera kjo marrëveshje përfshin edhe çeljen e një programi të përbashkët Master në fushën e Arkeologjisë.  Në fjalën përshëndetëse ministrja Kumbaro shprehur vlerësime për këtë marrëveshje e në mënyrë të veçantë për programin e përbashkët të studimit mes dy universiteteve.

“Rëndësia e universitetit të Gjirokastrës është padyshin e madhe sepse ai gjendet në një kryeqendër të kulturës e trashëgimisë së Shqipërisë.  Ne duhet ta ndryshojmë mentalitetin për rëndësinë që zë trashëgimia kulturore në Shqipëri, por edhe në rajon duke e parë  atë si një motorr zhvillimi dhe për ta kthyer këtë pasuri,  në burim ekonomie. Ndërkohë pyetja që mund të bëhet është pse studime në trashëgimi kulturore? Sepse ne mendojmë se ka një treg shumë interesant që shkon paralelisht me zhvillimin e territorit“, tha Kumbaro, e cila solli rastin e projektit TAP i cili ka angazhuar dhe punësuar një numër të madh arekologësh. Gjithashtu ministrja përmendi edhe shndërrimin në Fakultet Ekonomie të degëve në fushën e ekonomisë pranë këtij universiteti.

Kumbaro ftoi gjithë studentët që të thellohen në studime arkeologjike,  sepse është një treg i ri që po zhvillohet dhe që ka nevojë për profesionistë.

Më tej ajo vuri theksin edhe njëherë tek potencialet e jashtëzakonshme që ka gjithë qarku i Gjirokastrës për turizëm gjatë 12 muajve të vitit.

“Trashëgimia nuk është vetëm muze,  por mbi të gjitha potencial zhvillimi”, përfundoi Kumbaro.

Ndërsa rektori i Universitetit të Mançeratës, në fjalën e tij tha se është shumë i lumtur për këtë marrëveshje me universitetin “Eqerem Çabej”, pasi lidhjet e tij me Shqipërinë janë shumë më të hershme në kohë, qysh kur lexonte Kadarenë në gjuhën frënge.

“E njoh mirë historinë e Shqipërisë. Edhe në diktaturë, kur vendi juaj ishte i izoluar pika ime e lidhjes me Shqipërinë ishte Kadare të cilin e lexoja në frëngjisht, sepse nuk ishte përkthyer italisht.  Në Gjirokastër unë shoh një kryqëzim kulturash të ndryshme dhe mendoj që Shqipëria mund të  ndihmojë në rritjen e Europës me kulturën e saj të pasur, duke forcuar identitetin plural të Europës, e në këtë mënyrë duke forcuar zhvillimin e saj ekonomik”, u shpreh ai.

Marrëveshja mes dy universiteteve ka 6 pika, ku përfshihen ndër të tjera shkëmbimet e stafeve akademike, studentëve, projektet e përbashkëta shkencore, konferencat e tj.

/ArgjiroLajm.net/