Historia e këtij futbollisti është e jashtëzakonshme!
Një vend shumë i vogël, më i vogli në të gjithë Afrikën, por ku je i detyruar të durosh vuajtje të mëdha. Çdo vit mijëra persona arratisen nga Gambia dhe nga atmosfera e terrorit që është krijuar nga diktatori Yahya Jammeh, në pushtet prej 21 vitesh. Një nga këta të arratisur ka qenë edhe Ousman Manneh, që, në moshën 18 vjeç, pas një arratisjeje që ka zgjatur me mijëra kilometra, mund të debutojë në Bundesligë me Werderin.
Ousman ka shkuar në Breme në fillimin e 2014-ës: ka qenë vetëm 16 vjeç dhe i vetëm. Asnjë nga familjarët e tij nuk ka arritur të arratiset me të. Pasi është sistemuar te një qendër që priste emigrantët, Manneh ka fjetur nën një çati me 17 djem të tjerë që, si ai, janë arratisur nga Gambia drejt Gjermanisë, të vetëm. Por Ousman mori me vete edhe një dhunti të veçantë. Luan shumë mirë futboll.
Në 2014-ën e ka marrë skuadra Blumenthaler SV, klub që luan në kampionatin rajonal. Në 12 ndeshje Manneh ka shënuar 15 gola, duke tërhequr vëmendjen e Werder. Klubi vendos ta dërgojë te ekipi i dytë që luan në Serinë C të Gjermanisë. Edhe këtu Ousman ka treguar se ishte më i mirë se të tjerët. Në fund të pjesës së parë Rostock kryesonte 1-0. Në minutën e parë të së dytës është aktivizuar Manneh që brenda 15 minutave ka dhënë asistin për barazimin 1-1, më pas ka shënuar golin e fitores 2-1.
Për këtë arsye Werder ka vendosur ta marrë në ekipin e parë. Të martën Ousman ka luajtur një miqësore që Breme e ka fituar kundër Wilhelmshaven: sigurisht, nuk bëhet fjalë për një kundërshtarë të vështirë për t’u kaluar, por kur është futur në fushë ai, 30 minuta para fundit, rezultati ishte 3-0 dhe takimi ka përfunduar 7-0. Po, Ousman ka realizuar katër gola në 15 minuta. Pak ditë më parë Werder ka humbur Franco Di Santon, që ka kaluar te Schalke dhe Breme nuk ka zëvendësues. Ose, më saktësisht nuk dinte se kishte.
Për këtë arsye Ousman, më 15 gusht, java e parë e kampionatit mund të zbresë në fushë, pikërisht kundër Schalkes, pikërisht kundër Di Santos. “Ku i dihet, ndoshta ndodh”, ka shkruar gjermania “Bild”. 10 marsin e kaluar Ousman ka mbushur 18 vjeç, dhe është larguar nga qendra e emigrantëve. Tani mund t’i lejojë vetes të marrë një apartament me qera falë kontratës së nënshkruar me Werder )deri në 2018) me 2.500 euro në muaj, por shumë shpejt mund të vijë rinovimi me një rritje të ndjeshme.
Ndërkohë në Gambia situata po përkeqësohet: nga janari i kaluar dhjetra familjarë dhe miq të personave që thjesht dyshohen se mund të kenë marrë pjesë në tentativën për një grusht shteti në dhjetor të 2014-ës janë arrestuar dhe janë zhdukur, edhe pse qeveria mohon gjithçka. Ousman nuk ka dëshirë të flasë për të shkuarën, për vendin e tij, sepse plagët janë akoma të freskëta.
Torsten Frings, ish-lojtar i kombëtares gjermane, sot zëvendës trajneri i Werder, ka shpejguar: “Ousman jeton për futbollin. Dhe kjo është ajo që i kërkojmë ne”. Dhe në moshën 18 vjeç, pas asaj që ka kaluar, është e drejtë që të mos mendojë për gjë tjetër. Manneh vjen nga një vend i vogël, më i vogli në të gjithë Afrikën, por duket se ka një talent gjigant./Telesport