Humbja me Teutën, Tavo kërcënon Dukën: Do prishim kampionatin… (VIDEO)
Presidenti i Luftëtarit Vangjel Tavo është shfaqur tepër i revoltuar në prononcimin për mikrofonin e Supersport, menjëherë pas ndeshjes. Tavo ka kërcënuar se do ta tërheq skuadrën nga gara, pasi ndaj tyre po merren vendime të padrejta për ti rrëzuar nga kategoria.
“Unë nuk dua të komentoj ndeshjen sepse e panë të gjithë Shqiptarët. Ndodhi një estradë dhe nuk është e para herë. Në qoftë se kanë marrë vendimin të na hedhin nga kategoria, e bëjmë ne përpara se ta bëjnë ata. Arbitrat e tillë janë të degjeneruar. Do mblidhemi për të marrë vendimet tona. Më tha një mik në Tiranë që ju do humbisni nesër, sepse duan të prishin garën. Nuk doja ta besoja, por ja që ndodhi. Gjyqtarët janë bastarda, i bëjë thirrje Dukës të reagojë se është dhe njeri i mençëm.
Kjo është një çmenduri. Shikoni tribunat e stadiumit, janë bosh dhe kjo vjen nga këto që ndodhin nga gjykimi. Kemi një mbledhje tani dhe do të marrim vendime: ose do të tërhiqemi nga gara, ose do ta prishim ne kampionatin para se të na e bëjnë të tjerët. Janë miliona ose miliarda, që hidhen në futboll dhe shkojnë dëm.
Çfarë do të thotë të prishim kampionatin? Do luajmë me fëmijë të vegjël, kjo është prishje e kampionatit. Jemi njerëz të qetë dhe të butë, ndaj na e bëjnë këtë. Ata duan të fortin në fushë ose t’u japin diçka, nuk e di. Vetëm këtë sezon kemi disa raste, ku jemi masakruar, si me Kukësin dhe me Vllazninë”.