I denoncon biznesmeni nga Dropulli, shkarkohen dy inspektorë të Hetimit Tatimor

Dy inspektorë të Hetimit Tatimor, R.H nga Gjirokastra dhe D.M nga Saranda, janë shkarkuar nga detyra. Burime të ArgjiroLajm.net thonë se ata janë denoncuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nga pronari i një biznesi në Dropull.

Mësohet se dy inspektorët kanë shkuar për kontroll tek biznesi, por kanë ushtruar presion ndaj pronarit për ta detyruar atë që t’u jepte ryshfet.

Vetëm në këtë mënyrë do të falej gjoba. Burimet thonë më tej se e gjithë skena është filmuar dhe pasi inspektorët e kuptuan se nuk mund të nxirnin asnjë lekë nga pronari, i vendosën gjobë në masën 500 mijë lekë.

Ka edhe një detaj tjetër banal në këtë ngjarje. Teksa inspektori po plotësonte gjobën ndaj biznesit, ndezi edhe një cigare në ambientet e brendshme.

Në këtë moment ndërhyn një prej punonjësve duke i thënë se ishte në shkelje të ligjit Antiduhan. Inspektori ia kthen me fjalët ‘ne jemi shteti, s’ka problem’. Ditët e fundit ka patur kontrolle të shumta nga tatimet në bizneset e Gjirokastrës, ku natyrisht s’kanë munguar as gjobat arbitrare.

/ArgjiroLajm.net/