I ftohti “mbërthen” Shqipërinë, më e keqja vjen nesër

Prej disa ditësh vendi jonë është përfshirë nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, aspak normale për stinën e pranverës.

Në një pjesë të madhe të vendit ka pasur edhe reshje bore, por edhe temperatura nën zero, që kanë sjellë probleme me ngricat.

Fermerët janë shprehur të shqetësuar për kulturat bujqësore, ndërsa pritet që dita e nesërme të jetë akoma më e ftohtë.

Orët e paradites do të ndikohen nga kushte të qëndrueshme atmosferike duke bërë që kthjellimet dhe vranësirat e herë pas-hershme të jenë dominuese në pjesën më të madhe të vendit me përjashtim të ekstremit verior si edhe zonave malore juglindore të cilat do të rrezikohen nga reshje të izoluara dëbore.

Pjesa e dytë e ditës do të sjellë përmirësim të mëtejshëm të kushteve të motit duke bërë që i gjithë vendi të dominohet nga kthjellime dhe vranësira të shpeshta. E pranishme do të jetë herë pas here era e ftohtë nga verilindja.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të pësojnë sërish rënie në vlerat e mëngjesit por mesdita do të sjellë 3 gradë rritje të temperaturave në vend. Era do të fryjë mesatare me shpejtësi 35 km/h nga drejtimi verilindor dhe për pasojë në det do të gjenerohet dallgëzim mbi 2 ballë.