I kërkoi lekë pacientit që të firmoste fletëdaljen, policia ndalon mjekun Arben Kuro

fiksi-1-640x51220 mijë lekë të reja (200 mijë lekë të vjetra) për të firmosur fletëdaljen. Kjo është shuma që i ka kërkuar një mjek kirurg në spitalin rajonal të Gjirokastrës babait të një fëmije që e kishte operuar. Prindi i fëmijës u ankua në “Fiks Fare” për veprimet e mjekut kirurg të Gjirokastrës.

Ndërkaq, polica e Gjirokastrës ka reaguar duke ndaluar mjekun kirug te Spitalit “Omer Nishani” në Gjirokaster. “Sot në datë 22.09.2015, pas marrjes së informacìonit nga emisioni “Fiks Fare”, nga Sektori për Krimin Ekonomik e Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Gjirokastër, u bë ndalimi i shtetasit: Arben Spiro Kuro, 42 vjeç, mjek në Spitalin e Gjirokastrës, për vepren penale “Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”.

Historia
Spiro Pasha nga Tepelena, babai i fëmijës, tregon se gjatë verës operoi fëmijën e tij në spitalin rajonal të Gjirokastrës. Operacionin e kreu mjeku Arben Kuro. Prindi i fëmijës së operuar tregon se mjeku Kuro nuk i firmoste fletëdaljen e djalit nga spitali, edhe pse kishin kaluar pesë ditë nga operacioni, pa marrë pagesën që i kishte kërkuar.
Sipas Pashës, shuma që kërkonte mjeku Kuro ishte 20 000 lekë (të reja).
Duke mos pasur mundësi të siguronte shumën që kërkonte mjeku, Pasha iu drejtua emisionit “Fiks Fare”, ku denoncoi veprimet e mjekut.

“Më operoi çunin e në fund më kërkoi 200 mijë lekë të vjetra. I solla një kec dhoro (dhuratë). Në fund kur djali do të dilte nga spitali, ishte e premte se u operua të hënën, doktori nuk e nxirrte nga spitali. Më kërkoi 200 mijë lekë”, -tregon Spiro Pasha.
Sipas prindit, mjeku paratë i kishte kërkuar përpara se të hynte në sallën e operacionit, por ai nuk kishte që t’ia jepte.
Sipas qytetarit, mjeku ia kishte kërkuar këtë shumë parash, duke u justifikuar se me atë shumë do të paguhej anestezisti, vetë mjeku dhe disa kolegë të tjerë që morën pjesë në operacion.
Pas këtyre bisedave, babai i djalit të operuar ka telefonuar mjekun. Gjatë bisedës telefonike, mjeku i tregon se e kishte përfunduar turnin dhe ndodhej në shtëpi. Ai e orienton qytetarin që paratë t’ia jepte infermieres së turnit.

Ndërkohë, infermierja e turnit, pasi flet në telefon me mjekun Arben Kuro, i cili i kërkon që të marrë porosinë nga babai i pacientit, thotë se ajo nuk di gjë për sasinë e parave që duhet të marrë. Babai i pacientit i telefonon përsëri mjekut dhe i kërkon t’i thotë se sa lekë duhet t’i japë infermieres, duke pasur parasysh që i kishte dhënë më parë një kec. Mjeku refuzon të vazhdojë më pas këtë bisedë në telefon, duke i thënë qytetarit që nuk bëhen këto biseda në telefon.

Qytetari kthehet sërish në spitalin e Gjirokastrës tri ditë pas kësaj telefonate. Takon mjekun në zyrën e tij, ku i bën edhe vizitën e radhës fëmijës së operuar. Pasi qytetari i tregon shumën e parave që ka marrë me vete, sipas bisedës që kishin bërë, mjeku i thotë që t’i japë aq para sa ai dëshiron. Qytetari i tregon se janë 15 000 lekë të reja. Mjeku pranon duke i thënë: “Fiks, në rregull je”.

Telefonatat
Dita e parë
Prindi i telefonon mjekut kirurg

I ati i pacientit: O Beni, si e kalove vëlla? Spiro jam, mora makinën e një shoku se ngela rrugëve. Ku do të takohemi, do vish këtu tek zyra?
Mjeku: Kam ikur që aty.
I ati i pacientit: Po ku do të takohemi vëlla?
Mjeku: Tani ika në shtëpi, si do të takohesh.
I ati i pacientit: Si do ashtu, kujt do ashtu…
Mjeku: Lërja infermieres…
I ati i pacientit: …?
Mjeku: Ik aty, ma jep në telefon.
I ati i pacientit: Kush është …?
Infermierja: Unë jam.
I ati i pacientit: Ja, është këtu kjo zonja.
Infermierja: Më kë je, kush po flet?
I ati i pacientit: Hë mo, se të kërkojnë tya, Beni mo, Beni.
Infermierja: Doktori?
I ati i pacientit: Po, doktori, po kush…
Infermierja: Ë, doktor Beni (teksa flet në telefon me të). A, po mirë. Do të lë një porosi të ta mbaj unë aty.
I ati i pacientit: Sa të tha Beni ty? Të tha gjë Beni, sa ashtu?
Infermierja: Mua nuk më tha, mua më tha do të lërë një porosi, se kam idenë. Përse e ka fjalën?
I ati i pacientit: Lekë.
Infermierja: Nuk di gjë.
I ati i pacientit: Sa?
Infermierja: Nuk di gjë, nuk di gjë fare. Të kishe biseduar që në mëngjes… pse i lë këto punë kështu?

Babai i pacientit i telefonon sërish mjekut
I ati i pacientit: O Beni, Spiro jam sa t’i lëj kësaj infermieres?
Mjeku: E ç’a i bë këto muhabete në telefon, ç’janë këto muhabete tani?!

Babai i pacientit rikthehet në spitalin rajonal, tri ditë më pas

Takimi në zyrën e mjekut Arben Kuro

I ati i pacientit: Ja, ja shikoja pak (plagën e operacionit).
Mjeku: Hajde!
I ati i pacientit: Shko vëlla atje…
Mjeku: (Pasi i shikon plagën fëmijës) Laje…
I ati i pacientit: Në rregull ë, në rregull?
Mjeku: Në rregull fare.
I ati i pacientit: Sa do narkoza, a si? Sa të ashtu?
Mjeku: Ë…
I ati i pacientit: O Beni, sa do të detyrohem?
Mjeku: (Pasi shikon tre 5000 lekëshet, të reja). Po ik, mos e vra mendjen, jep sa të duash, po hë.
I ati i pacientit: Nuk i di unë ato…
Mjeku: Harroji ato muhabete.
I ati i pacientit: 150 mijë lekë (të vjetra) janë.
Mjeku: Fiks, në rregull je.