Idrizi: Propozuam që Libohovës t’i kthehej madhështia e dikurshme

shpetim-idrizi-320x214Teksa vazhdojnë diskutimet e gjata në Kuvend për reformën territoriale që do të miratohet sot, kreu i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi përmendi edhe njëherë amendamentet e propozuara prej partisë së tij. Sa i përket Libohovës, Idrizi tha se me propozimin e PDIU-së, është synuar që Libohovës t’i kthehej madhështia e dikurshme.

“Kemi propozuar që Libohovës t’i kthehej madhështia e dikurshme, duke u bashkuar zonën e vet që është Pogoni dhe Zagoria që gravitojnë nga Libohova. Pogoni që është lënë si apendiks i Dropullit është gjeografikisht aq larg sa që është e pamundur të jetë funksional me bashkinë e re”, – u shpreh Idrizi.

Libohova ishte menduar më herët si pjesë e Bashkisë Gjirokastër, por pas propozimeve të PDIU-së, u pranua nga komisioni që të ruajë statusin e bashkisë, duke u bashkuar me Zagorinë, Antigonenë dhe komunën Qendër Libohovë.

Në seancën e sotme të Kuvendit, që është e fundit për këtë sesion parlamentar, pritet votimi i ndarjes së re të vendit. Opozita e Partisë Demokratike mungon në sallë, ndërsa nga radhët e saj janë 5 deputetët e PDIU-së, të cilët deklaruar votën “pro” kësaj reforme, si dhe demokristiani Nard Ndoka që u shpreh kundër.