In memoriam/ Tre vjet pa Jorgo Malitën

Jorgo Malita
Jorgo Malita

Nga Thanas Verdhi

Ishte një përvjetor i trishtë takimi për të përkujtuar 3 vjetorin e ndarjes nga jeta të Jorgo Malitës. Familja, të afërmit dhe miqtë e të ndjerit, e ndien fort mungesën e tij. Edhe studentët e tre viteve të fundit, nuk e patën fatin ta njihnin dhe dëgjonin profesorin e ” hekurt” të matematikës që bëri “epoke” në Fakultetin e Inxhenierisë dhe, më pas, në Universitetin Politeknik të Tiranës. Prej tre viteve u mungon auditorëve profesori model, i përpiktë, elokuent dhe i ndershëm që, askujt s’i hyri në hak. Mijëra studentë gjatë 52 vjetëve që Malita ishte profesor në Universitetin e Tiranës, e kujtojnë me mall e nostalgji profesorin e rrallë që e bënte auditorin të heshtëte, jo nga frika, por nga madhështia dhe personaliteti i lektorit që spjegonte me zë të qartë dhe kumbues, megjithëqë në “akorde” të ulëta. Nga ana tjetër, do ishte enigmë se ç’mund të ndodhte, nëse ndonjë student, qoftë dhe pa dashje, të prishte atë “heshtje absolute” që, vetëm profesorë të kalibrit Malita, arrijnë t’ua imponojnë auditorëve.

Jorgo Malita u nda nga jeta tre vjet më parë në moshën 74 vjeçare nga një atak kardiak që i mori jetën. Nuk ishte një vdekje natyrale, por një vdekje në luftë me jetën. Malita ishte njeri i ditur e i kulturuar, me plot pasione për jetën. Në adoleshencë dhe rininë e tij, veç rezultateve të shkëlqyera në mësime, fizarmonika ishte pasioni i dytë i tij që luante kaq bukur në atë instrument dhe që e përdorte atë po kaq mjeshtërisht. Leximi i çdo gjëje të bukur, kryesisht poezi dhe filozofi, si dhe noti në thellësi, ishin hobet e tij që e shoqëruan gjithë jetën. Edhe vdekja, aty ” e gjeti”, tek po notonte në thellësi të ujrave të Detit Adriatik, ku ndjeu dhe simptomat kërcënuese. Me fizikun e fortë doli me sforco në breg, por, me gjithë ndihmën mjekësore që jepet në raste të tilla, goditja ishte fatale. Pra, Malita vdiq ashtu në ” këmbë”, siç e mbajmë mend të gjithë, madhështor e të pamposhtur, pa u ankuar kurrë.

Dhe sot, në përvjetorin e tretë të ndarjes së tij nga jeta, u mblodhëm për ta kujtuar; familjarë dhe një mumur i kufizuar miq e kolegë. Mungesa e tij u ndie fort dhe, takimi kaloi më shumë në heshtje, por që, çdokush e ndjente praninë e tij si një shpirt që endej midis nesh dhe që, na “ndiqte” me dashuri dhe mirënjohje. Ai ” ishte aty”, ashtu madhështor siç ishte, me humorin e tij fin e shpotitës. Mungesa e tij nuk mund të kalohej lehtë, mbasi ai kishte ” peshë” në çdo gjë; edhe kur ecte, edhe kur fliste, edhe kur “fliste” me heshtje. Ishte një burrë me personalitet të fuqishëm dhe inteligjencë të rrallë që e dallonte nga të tjerët. Siç thashë, ishim mbledhur në një drekë për të bërë zakonin dhe, takimi kaloi në heshtje, pavarësisht disa ” impulseve” të disave që u munduan t’i jepnin një farë gjallërie takimit. Pashë me vëmëndje ata pak të ftuar në këtë përvjetor, njerës të shkencës e me reputacion, ish profesorë, kolegë dhe miq të Jorgos që, unë i njihja qëkur isha student, mbi 40 vjet më parë. Sot, çuditërisht mu dukën më ” të vegjël”, mbasi dikur, prezenca e Jorgos krahë tyre, i ” lartësonte” ata. Malita ishte gjithmonë ” konstant” në madhështinë e tij dhe, mbeti i paprekshëm nga zullumet e molepsjet e kohës. Ai mbeti përjetësisht i ” pastër” dhe, kurrë s’u bë pjesë e ” korrit” të servilëve dhe puthadorëve.

Shpesh, kur ishim të rinj, nxënës e studentë, entusiazmoheshim kur ndonjë nga profesorët tanë, dallonte nga të tjerët, për aftësitë profesionale dhe, mënyrën e komunikimit. Por, me kalimin e viteve, ” filtrat” bëhen më të dëndur e të padepërtueshëm dhe, kalojnë ” sitën” pak, shumë pak, vetëm ata që “stampohen” në memorjen e studentëve me kalimin e dekadave. Këtë të vërtetë absolute ma përforcuan edhe disa ish studentë të Jorgos, disa dekada më parë. Ata ish studentë dhe tani kuadro e specialistë të afirmuar në sektorë të ndryshëm, pas kaq dekadash, e kujtojnë me nderim të veçantë profesor Malitën duke e diferencuar dhe klasifikuar në një grupim tepër të ngushtë profesorësh që i kanë dhënë emër dhe prestigj të veçantë Fakultetit të Inxhenierisë. Ky krahasim i tyre, më kujtom madhështinë e skulpturave gjigande të gdhëndura në shkënb, në mal, që, kur je afër tyre, për shkak të përmasave të mëdha, s’të bëjnë shumë përshtypje, por sa më shumë t’u largohesh, aq më madhështore duken.

Jorgo Malita siç thashë, për 52 vjet me rradhë ishte një nga profesorët më dinjitozë dhe më të aftë të shkencave matematike në shkallë vendi. Nuk dua të përsëris arritjet e tij, tekstet e pakrahasueshme për nga qartësia dhe niveli , si dhe titujt shkencorë që , kurrë s’ i vuri në dukje. Ai do mbetet përjetë në memorjen e mijëra studentëve që patën fatin të ishin studentët e tij dhe që morën nga ai dije, kulturë dhe gjithëçka që Malita u transmetoi atyre, duke mbetur në kujtesën e tyre si një nga personalitetet më emblematikë të Universitetit të Tiranës.
U prehsh në paqe, profesor Malita.