Intervista/ Altin Lala: Me kontratën e De Biasit u gabua, ja pse u largova nga Kombëtarja

intervistaaaaE imagjinoni dot Altin Lalën në versionin misterioz?

Një nga njerëzit më të drejtpërdrejtë të Kombëtares, që papritmas “zhduket” për muaj të tërë, aq sa nuk ta kap syri as në festimet e kualifikimit historik të përfaqësueses…

Zëra pa fund dhe hamendësime nga më të ndryshmet. Por në fakt, motivi është një dhe i vetëm: thjesht ka vendosur të mos merret më me trajning. Ishkapiteni i shquar i Shqipërisë ka ndryshuar profil njëherë e përgjithmonë dhe do të jetë vetëm menaxher lojtarësh.

Starti është mbresëlënës, sepse sot është prokuratori i Milot Rashicës, një prej lojtarëve shqiptarë më premtues, i cili po shkëlqen në Holandë me Viteshen dhe është futur në radarët e Napolit.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Lala bën një analizë të mënyrës se si u menaxhua atmosfera që u krijua pas kualifikimit dhe ndërkohë është kritik për “telenovelën” me kontratën e De Biazit. Këtë të fundit e vlerëson shumë, por ndan një mendim ndryshe sa i përket listës së lojtarëve që do të thirren për në finalet e Francës.

“Në Gjermani thirren gjithnjë ata që janë më mirë dhe ata që kanë rendimentin më të lartë. Tani nuk jemi më në nivelet e mëparshme, tani ndoshta duhet realisht të mendojmë për të arritur gjëra të mëdha. Ndoshta nuk ia dalim gjithnjë, por ama ky duhet të jetë qëllimi”, thotë ish-mesfushori i Hanoverit.

Altin, me çfarë po merresh tani?

Kryesisht me menaxhim lojtarësh, por edhe me ndonjë punë që kam jashtë sportit.

Pse je distancuar kaq shumë?

Nuk jam distancuar, thjesht u largova nga postet që mbaja në ekipin Kombëtar dhe atë të moshave. Më pas ndërrova edhe numrin e telefonit dhe ndoshta ka qenë e vështirë për median që të kontaktonte me mua.

Pse u largove?

Sepse kuptova që trajningu nuk është për mua.

Çdo do të thotë kjo?

Fiks këtë që sapo thashë… E provova trajningun dhe e kam mbyllur njëherë e mirë atë kapitull. Nuk ishte për mua.

Pse nuk ishte për ty?

Sepse nuk ndihesha komod.

Po tani, çfarë plani ke?

Merrem me menaxhimin e lojtarëve. Rashica është një ndër futbollistët shqiptarë për të cilin kujdesem.

Pra, nuk ka ndonjë përplasje me FSHFnë, apo ndonjë problem tjetër, sikundër është përfolur deri tani…?

Nuk di çfarë është thënë e çfarë është menduar, por motivi ky ishte.

Si e përjetove kualifikimin e Kombëtares?

I lumtur, pa dyshim. Kur isha futbollist doja ta arrija patjetër, madje e pata një dëshirë fikse, por tani që u realizua, jam i kënaqur edhe kështu. Pra, edhe pse nuk isha lojtar, apo zv.trajner, u kënaqa shumë. Në fund të fundit, ç’rëndësi ka, ia dolëm. Shqiptarët më në fund e panë skuadrën e tyre në Europian.

Pas kualifikimit pati një debat se kush kishte më tepër meritë.. FSHF tha se e bëri ajo De Biazin të famshëm, trajneri nga ana tjetër u ekspozua sa mundi dhe në fund u përfshi ethshëm edhe politika… Ju si mendoni, e kujt është merita më e madhe?

Së pari, nuk dua të përfshihem kurrsesi tek ata që ndajnë vlerësimet… Merita ishte e të gjithëve… Gjermanët kanë një shprehje: “suksesi ka shumë baballarë…”. Kjo ndodh kudo kur ka arritje të mëdha. Realisht mendoj se ky ishte një diskutim i pashmangshëm, sepse kjo është natyra njerëzore, por nga ana tjetër u ekzagjerua disi. Edhe kjo mendoj se është logjike, sepse ne nuk kemi eksperiencë për të menaxhuar situatat që krijohen nga një arritje kaq e madhe.

Po De Biazi, duhet të qëndrojë apo jo?

Nuk e them dot unë këtë. Kam qenë zëvendës i tij, kam një konsideratë të lartë për të dhe kurrsesi nuk mund të hyj në detaje të tilla.

Të pyes, sepse pati gjithashtu një diskutim të gjatë për kontratën e tij, për rinovimin dhe për shumën e parave…

Po, jam në dijeni dhe mendoj se ishte e gabuar. U bë një gabim i gjithanshëm në atë rast. Kontratat janë që të mbeten në sirtar, jo të dalin jashtë mureve dhe të shndërrohen në objekt diskutimi kombëtar. Nuk ndihmon kjo as federatën dhe as stafin. Madje, as Kombëtaren.

Por, gjithsesi, nuk na the se cilin apo çfarë vlerëson më shumë nga kualifikimi i Kombëtares…

I vlerësoj të gjithë. Që nga magazinieri Fatos Kadëna, lojtarët, stafin, presidentin, tifozët dhe të gjithë ata që kanë dhënë një kontribut në këtë arritje. Nuk duhet të bëjmë diferencime. Ju siguroj se pas shumë vitesh, nuk do të thonë se kush i pati meritat, sa iu rrit kontrata De Biazit dhe cilat ishin vlerësimet. Thjesht do të thonë që ajo skuadër, me ata njerëz në fushë dhe në drejtim u kualifikua për herë të parë. Kaq. Të tjerat janë artificiale…

Si është të shohësh Bogdanin në rolin e zv.trajnerit të Shqipërisë?

Bogdani mbi të gjitha është një djalë i mirë dhe një njeri që e njeh shumë futbollin. Jam i bindur se duke punuar me dy trajnerë shumë të zotë si De Biazi dhe Tramexani, do të mësojë shumë dhe do të japë kontributet e veta. Nga ana tjetër, mund të bëhet dikush realisht me të ardhme në këtë profesion.

Të erdhi keq që miku jot Bushi ishte pjesë e stafit në këtë arritje të madhe, ndërsa ju jo…?

Absolutisht jo, m’u bë qejfi madje. Bushit i shkon shumë edhe kostumi… Përtej kësaj, kur u largova, i thashë se me mua keni grumbulluar 10 pikë, ju duhen vetëm 4 për kualifikimin… (qesh). Bushin e kam mik dhe e vlerësoj. Mendoj se është i përkushtuar në atë detyrë që ka dhe e bën me pasion.

Je i mendimit që lojtarët të cilët e kualifikuan Shqipërinë duhet të shkojnë doemos në Francë, apo ndoshta lista mund të rishikohet dhe të merren ata lojtarë që janë më në formë?

 Ky është një vendim ekskluziv i De Biazit. Unë jetoj në Gjermani dhe këtu është praktikë e padiskutueshme që gjithnjë thirren ata që janë më mirë dhe ata që kanë rendimentin më të lartë. Nëse nuk do të jetë në formë të mirë, në Gjermani edhe Shvajnshtaiger do të rrezikonte vendin në Francë…Tani nuk jemi më në nivelet e mëparshme dhe ndoshta duhet realisht të mendojmë për të arritur gjëra të mëdha. Mbase nuk ia dalim gjithnjë, por ama ky duhet të jetë qëllimi.

Sa shanse ka Shqipëria që të përsërisë sërish një sukses të tillë?

Nuk duhet të kënaqemi vetëm me Europianin. Sigurisht, në eliminatoret e Botërorit të ardhshëm kemi Spanjën dhe Italinë në grup dhe do të jetë tej mase e vështirë, por ama me këtë brez lojtarësh dhe me këta talente që janë në Europë, duhet të synojmë më tepër.

Jeni pro apo kundër Besart Berishës në Kombëtare? Berisha ka potencial, pse jo…?!

Megjithatë, duhet të vlerësojmë edhe disa gjëra që më parë ndoshta i pranonim edhe nga halli.

Çfarë gjërash?

Shikoni, sot ka realisht shumë talente shqiptare nëpër botë dhe ndoshta shumë shpejt mund të bëhemi më të fortë sesa Zvicra. Por ama tani nuk jemi më ata që ishim dhe t’i lutemi kujtdo për të ardhur në ekipin përfaqësues, qoftë edhe te moshat. Mendoj se ata që refuzojnë të hipin njëherë në autobusin e Kombëtares, nuk mund t’i kërkojnë atij të ndalet dhe të hipin kur ekipi është kualifikuar dhe autobusi shkon drejt Francës…

Intervistoi: Jetmir Halilaj /Panoramasport.al