Intervista/ Luiza Mandi: Jemi të përqendruar kryesisht në infrastrukturë dhe restaurim

luiza mandiNjë vit pas marrjes së mandatit në krye të bashkisë së Libohovës, BIRN Albania intervistoi kryetaren e bashkisë Znj. Mandi lidhur me përmbushjen e premtimeve elektorale, bazuar mbi shqetësimet e ngritura nga vetë banorët e kësaj zone.

Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Libohovë?

Viti i parë i drejtimit mund të them se ishte në një farë mënyre një periudhë tranzicioni për shkak të ndryshimeve nga implementimi i reformës territoriale. Megjithatë jam e prirur ta shikoj gotën gjysmë plot dhe të besoj se jemi në rrugë të mbarë. Ndër tre arritjet kryesore dua të përmend nisjen e investimit për rikonstruksionin e rrugës së fshatit Bulo, investimin në rrjetin e shpërndarjes së energjisë në Libohovë, si dhe investimin për sistemimin e shtratit të lumit Suhë dhe kanaleve ujitëse.

Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?

Bashkia Libohovë është një institucion i hapur, ku kushdo mund të informohet dhe të kërkojë transparencë të shpenzimeve publike. Siç nuk kishte ndodhur kurrë më parë, gjatë këtij viti ne kemi përfshirë qytetarët në konsultime publike mbi projekte të ndryshme për Libohovën. Kujtojmë këtu projektin për rikonceptimin e qendrës së qytetit, projekt që u prezantua publikisht në Libohovë dhe qytetarët morën pjesë aktivisht me vërejtjet apo oponencën e tyre. Ishte një konsultë publike që i vlejti së shumti edhe grupit të punës së këtij projekti, por natyrisht vendosi një tjetër standard në Libohovë se nuk mund të ketë investime madhore pa dëgjuar më parë edhe qytetarët. Në funksion të komunikimit me qytetarët dhe rritjes së nivelit të transparencës, shumë shpejt do të kemi web faqen tonë në internet ku do të bëjmë publike gjithçka që lidhet me punën tonë si njësi vendore.

Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?

Si ndoshta në shumë zona të tjera të vendit edhe në Libohovë sfida kryesore është papunësia. Ne si bashki vazhdimisht jemi në kontakt me biznesin dhe investitorë të ndryshëm, për të nxitur programet e punësimit. Ndonëse nuk mund të shihet si një zgjidhje afatgjatë, në planin afatshkurtër biznesi fason punëson shumë njerëz. Para pak kohësh në bashkëpunim me një subjekt privat punësuam një numër të konsiderueshëm grash e vajzash. Çështje tjetër me rëndësi është infrastruktura rrugore,  sidomos ajo që lidh fshatrat e Bashkisë Libohovë. Veçoj këtu rrugën e Zagories e cila është lënë në harresë prej vitesh. Por ky segment dhe të tjera rrugë rurale kërkojnë investime të mëdha, për të cilat ne jemi sërish të detyruar të marrim mbështetje nga qeveria qendrore. Së treti edhe furnizimi me ujë të pijshëm nuk është në nivelet e duhura. Problematike situata paraqitet sidomos gjatë muajve të verës. Libohova, por edhe fshatra të tjerë kanë nevojë për rrjete të reja ujësjellësi. Ne po shohim mundësinë e përfitimit të investimeve nga donatorë të huaj, siç ishte rasti i rrjetit të ujësjellësit në Gjirokastër, i financuar nga banka gjermane KFW.

Ku do të përqendrohen investimet këtë vit në bashki dhe nga kush janë siguruar financimet?

Objektivi kryesor sa i përket investimeve mbetet projekti madhor për rikonceptimin e qendrës së Libohovës. Prej pak kohësh ne e kemi definuar projektin, si dhe kemi aplikuar për financim te Fondi i Zhivillimit të Rajoneve. Jemi në pritje të çeljes së financimit dhe besoj që zbatimi i këtij projekti do t’i japë Libohovës një dimension tjetër, por do ndikojë edhe në zhvillimin e turizmit dhe rritjen e punësimit. Investimet e tjera do të përqendrohen kryesisht në infrastrukturë dhe restaurimin e monumenteve.

Bashkia ka të ardhura të pakta, si mendoni se mund të përmirësohen shërbimet dhe të rriten investimet në këto kushte?

Sigurisht që mbështetja kryesore për projekte madhore kërkohet vazhdimisht tek qeverisja qendrore, duke qenë se ne jemi një njësi e vogël vendore dhe me të ardhura të pakta. Megjithatë përpjekjet tona për të marrë financime nuk kufizohen vetëm te qeverisja qendrore, por vazhdimisht bëjmë përpjekje me donatorë të ndryshëm privatë vendas e të huaj, si dhe duke aplikuar me projekte konkrete në programe të ndryshme mbështetjeje. Kujtoj këtu rastin e përfitimit nga programi Italo-Shqiptar i Konvertimit të Borxhit, ku Bashkia Libohovë fitoi financimin e ndërtimit të një rezidence për të moshuar.

Ka hapa konkretë në mbështetjen e sektorit bujqësor dhe blegtoral?

Bujqësia dhe blegtoria përbëjnë sektorët kryesorë ku mbështetet ekonomia lokale dhe natyrisht investimet që ndihmojnë fermerët e blegtorët janë në vëmendje të Bashkisë Libohovë. Konkretisht përmend këtu dy investime të rëndësishme. I pari i financuar nga UNDP Albania, për sistemimin e shtratit të lumit në Suhë, duke frenuar kështu vërshimin e ujërave dhe shkatërrimin e tokave bujqësore. I dyti është investimi për pastrimin dhe sistemimin e kanalit ujitës te fusha e Suhës, duke i ardhur në ndihmë gjithë fermerëve të zonës.

Ju keni premtuar mbështetje për disa monumente kulturore si Kalanë e Libohovës, Kishën  e Labovës etj., çfarë po bëhet aktualisht?

Patjetër që investimet në monumentet kulturore janë të rëndësishme, jo thjesht për t’i mbajtur ato në identitet dhe për të mos lejuar shkatërrimin e vlerave historike që mbartin, por mbi të gjitha për t’i vënë në shërbim të zhvillimit të turizmit. Ne si njësi vendore kemi  të ardhura të pamjaftueshme për t’i kryer vetë restaurimet, por fatmirësisht në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës mendoj se jemi në rrugë të mbarë për bërë disa ndërhyrje të domosdoshme. I tillë është projekti për restaurimin  e Kishës së Labovës dhe rrugës që të çon në këtë monument. Besoj brenda këtij viti do të nisin punimet. Po kështu kemi një projekt shumë të mirë për restaurimin e Kalasë së Libohovës, shtëpisë së lindjes së Avni Rustemit dhe Kullës së Sahatit. Tashmë që këto  projekte janë gati mbetem shpresëplotë se financimi prej Ministrisë së Kulturës nuk do të mungojë.

|BIRN|