Intervista/ Mandi: Libohova ka nevojë për një qeverisje që i shërben komunitetit

11270350-1592963924293655-4899655004018080569-o-c1200x600

Intervista e kandidates së koalicionit të majtë, Luiza Mandi, botuar sot te gazeta Telegraf.

Qeverisja e re bashkisë së re të Libohovës në Gjirokastër, po kërkohet të bëhet prej të majtës, të bashkuar prej 20 muajsh në koalicionin qeverisës PS-LSI. Kandidatura e përzgjedhur prej këtij koalicioni për të qeverisur Bashkinë e Libohovës është mjekja e mirënjohur për profesionalziëm dhe etikë qytetare Luiza Mandi, një personalitet publik që gëzon vlerësimin e banorëve të Libohovës, të krejt zonës që përfshinë bashkinë e re Libohovës dhe në krejt rrethin e Gjirokastrës.

Luiza Mandi është një mjeke, pjesë njerëzore e çdo familjeje të zonës, është një intelektuale, familjare, shoqe dhe qytetare me vlerë e cila, pas vlerësimit të strukturave të organizatës socialiste, pas vlerësimit të kreut të PS të rrethit të Gjirokastrës Florian Hysi dhe miratimit kreut të PS të Shqipërisë Edi Rama, u ndje maksimalisht e vlerësuar dhe pranoi të jetë kandidate e koalicionit PS-LSI për bashkinë e Libohovës. Dje, gazeta “Telegraf”, bisedoi me kandidaten e ASHE për Bashkinë Libohovë zonjën dhe mjeken e nderuar Luiza Mandi, lidhur me angazhimin e saj në këtë sfidë, që do të provojë energjitë e saj si krye-bashkiake e një zone të madhe banimi e cila prej 8 vitesh ka përjetuar asfiksimin social-ekonomik dhe demagogjinë e atyre që e kanë (ç)drejtuar….

Zonja Mandi, nga sa fshatra dhe nga sa ish-komuna përbëhet bashkia Libohovë dhe ku e mbështesni kandidimin tuaj?

Pas reformës administrative, Bashkia e re e Libohovës, do të ketë në përbërje të saj edhe dy komuna; Komunën Qendër-Libohovë dhe Komunën Zagorie. Brenda këtyre dy komunave, si njësi administrative që kanë funksionuar deri më tani, përfshihen 18 fshatra, konkretisht fshatrat Labovë e Sipërme, Labovë e Poshtëm, Suhë, Stegopull, Bulo, Drino, Nepravishtë. Zagorie, Sheper, Nivan, Konckë, Vithuq, Hoshtevë, Dëshnicë, Zhej, Lliar, Topovë, Nderan. Janë fshatra që banohen nga njerëz me tradita e me kulturë, të cilët kërkojnë dhe presin ndryshimin për jetën që bëjnë atje ku janë. Ne kemi detyrimin për t’u shërbyer, jo thjeshtë se ata do të na votojnë më 21 qershor si alternativë reale e zhvilluese rilindëse, por sepse ne që jemi alternativa e vetme rilindëse, votën e tyre duhet të rikthejmë në zgjidhje konkrete problemesh, të cilat i kemi bashkëbiseduar më banorët “derë më derë” dhe do t’’i zgjidhim me mbështetjen totale të kryeministrit Edi Rama, i cili na ka dhënë garanci të plota për investime deri tek krditimet lehtëszuese për bizneset agro-familjare. Detyra jonë është të konkretizojmë projektet zhvilluese të çdo individi, familjeje e fshati të bashkisë Libohovë, zgjidhje të cilat ata që janë deri në 21 qershor 2015 në qeverisjen e Libohovës nuk i kanë realizuar. 

Sa banorë dhe sa votues ka bashkia Libohovë?

Referuar Censusit të vitit 2011, bashkia Libohovë ka një popullsi prej 3667 banorësh, ndërsa sipas Regjistrit Civil të zonës, kjo bashki ka 7158 banorë. Sa i përket numrit të votuesve, duke iu referuar të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015, në bashkinë e Libohovës kanë të drejtën e votimit 5802 zgjedhës. Votuesit janë të ndarë në 12 qendra votimi. Në po punojmë dhe do të punojmë deri në sekondën e fundit, që të arrijmë të sigurojmë, që çdo banor i bashkisë së Libohovës që ka të drejtën e votimit, të votojë sipas bindjes që ka. Numri i banorëve të Libohovës është 3062 persona, ndërsa numri i votuesve është 2069 zgjedhës.

Libohova si qendër, nga cila forcë politike është drejtuar?

Që prej vitit 2007, Bashkia Libohovë është qeverisur nga Partia Demokratike. Pra, në 8 vitet e fundit kjo njësi vendore është administruar nga një përfaqësues i të djathtës. Partia Socialiste e ka qeverisur Libohovën nga viti 2000, deri në vitin 2007. 

Si është qeverisur deri tani Libohova dhe komunat e tjera, që tani janë pjesë e saj?

Këto dy muaj kam shkelur çdo fshat të Bashkisë Libohovë dhe kjo më ka shërbyer jashtëzakonisht shumë për të parë nga afër se sa pak është ndjerë dora e qeverisjes vendore në këtë zonë. Situata është e tillë edhe brenda në Libohovë, njësinë që është qeverisur 8 vite nga rivali im. Ka probleme të shumta në infrastrukturë rrugore,në mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës, investimet në bujqësi, në ujin e pijshëm, ne pastrimin e qytetit etj. Nuk bëj gabim të pohoj se Libohova është keq-qeverisur në këto vite dhe çdo qytetar e shikon vetë situatën si është. Le shume për të dëshiruar dhe administrata ne bashkinë dhe komunat rrotull, si ne aspektin profesional dhe etiken ne pune. Nga ana tjetër, dëgjoj shpesh rivalin tim që të premtoj po të njëjtat gjëra që ka premtuar 4 apo 8 vite më parë. Kjo është dëshmi e pastër se nuk është bërë punë në Libohovë.

 Cilat janë disa nga problemet kryesore të zonave të bashkisë Libohovë?

Problematika është e gjithanshme, por do të veçoja kryesisht problemet në infrastrukturën rrugore, sidomos për pjesën e rrugëve të fshatrave përreth dhe papunësinë. Rruga drejt Zagories nuk është e rikonstruktuar, rruga drejt fshatit Bulo po ashtu. Ka probleme të furnizimit me ujë brenda në Libohovë dhe disa fshatra përreth. Po kështu nuk janë në gjendje të mirë kanalet kulluese dhe vaditëse. Mirëmbajtja e monumenteve kulturore është një tjetër çështje që kërkon ndërhyrje. Konstatoj se përkundër mundësive të shumta që ka zona për zhvillimin e turizmit, ky sektor është shumë pak i zhvilluar në Libohovë. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që turizmi të krijojë të ardhura për banorët e kësaj zone. Mundësitë janë, por deri sot nuk janë shfrytëzuar, ne do ta realizojmë këtë mundësi të madhe për zonën.

Cila është “pika” juaj e fortë që mendoni se ju jep fitoren në Libohovë, përballë kundërshtarit si profil dhe forcës politike që ai përfaqëson?

Unë nuk do të marr një fitore në Libohovë, thjesht sepse kundërshtari im politik ka 8 vjet që vegjeton si rrogëtar që nuk ka zgjidhur asnjë problem. Unë ofroj modelin tim, unë flas me modelin rilindës të 20 muajve që kemi në qeverisjen qendrore, flas në emër të banorëve të cilat presin 21 qershorin të shpëtojnë nga kupola drejtuese e bashkisë Libohovë e cila në 8 vite funksionoi si çiflig i atyre që populli do t’u heq çelësat e “sulltanatit” më 21 qershor 2015. ”Modeli që unë ofroj për qeverisjen e kësaj njësie vendore është më i miri. Plani im transformues për Libohovën, në mënyrë që kjo zonë të mos jetë si një lloj “xhepi” i lënë mënjanë, është alternativa më e mirë dhe e mbështetur gjerësisht nga qytetarët. Njëkohësisht ky plan gëzon të gjithë mbështetjen e qeverisë dhe kryeministrit Rama. Kam një model pune si mjeke për më shumë se dy dekada, model të suksesshëm që e njohin të gjithë. Me këtë model, në themel të të cilit qëndron përkushtimi dhe transparenca, do të qeveris Libohovën. Jam e avantazhuar gjithashtu sepse kandidoj si përfaqësuese e një aleance politike, e cila ka treguar në këtë pak kohë që qeveris, se është e vendosur për t’i dhënë Shqipërisë perspektivën e munguar, është e vendosur për të konsoliduar shtetin ligjor dhe për të ndërmarrë reformat e duhura drejt integrimit në BE. 

Mendoni se ju do ta rilindni zonën e bashkisë Libohovë?

Qoftë nga profesioni si mjeke, ashtu edhe si grua, s’e kam për natyrë të them të pavërteta, edhe në një moment fushate si ky që jemi. Asnjëherë s’kam pretenduar se unë kam “shkopin magjik” për t’i bërë realitet menjëherë të gjitha ato që i duhen sot banorëve të Libohovës. Por, jam tërësisht e bindur, se unë do t’i jap një tjetër frymëmarrje perspektive zhvillimi e integrimi social-ekonomik kësaj zone që po vuan qeverisjen e keqe vendore, duke operuar përmes investimeve që do të realizoj me mbështetjen e kryeministrit Edi Rama dhe sigurisht, përmes një modeli qeverisje ndryshe nga deri sot, kur bashkia sillej si “bajrak”, ndërsa drejtuesit si “bajraktarë” pronarë të pushtetit lokal dhe të zonës. Unë do ofroj një model qeverisjeje për banorët dhe në shërbim të tyre. Deri tani, kemi pasur një qeverisje vendore në shërbim të një grupi të vogël njerëzish, prandaj Libohova prej 8 vitesh e deri sot, po lëngon nga problemet. Me kthimin e bashkisë në shërbim të qytetarëve dhe në funksion të zhvillimit të zonës, absolutisht që s’ka pengesa për t’i ndryshuar punët dhe jetën kësaj zone, për ta bërë një vend të jetueshëm normalisht, mbasi zona e Libohovës i ka gjithë burimet njerëzore e ekonomike. 

Cilës force politike i përkisni ju dhe a e vlerësoni përfaqësimin tuaj, si potencial për fitoren nën logon “PS-LSI”?

Kandidatura ime, mbështetet nga Aleanca për Shqipërinë Evropiane (PS-LSI), ndërsa propozimi është bërë nga Partia Socialiste, si forca që udhëheq këtë aleancë. Sigurisht që bashkimi bën fuqinë dhe të qenit përfaqësuese e kësaj aleance është një garanci më e madhe për fitoren. Por përtej kësaj, gëzoj mbështetje të gjerë edhe përtej elektoratit që kanë dy partitë e këtij koalicioni dhe kjo do të reflektohet më 21 qershor, me rezultatin e zgjedhjeve të 21 qershorit. Njerëzit duna ata që punojnë, jo ata që mbajnë fjalime, unë dhe koalicioni që përfaqësoj PS-LSI jemi forca dhe treguesi i punës e jo i fjalëve.