Investimi drejt përfundimit, kjo është rruga e re e fshatit Bulo (FOTO)
Disa muaj më parë Libohova Online publikoi lajmin se ishte tenderuar rikonstruksioni i rrugës së fshatit Bulo dhe për pak kohë do të niste investimi. Jo pak njerëz dyshuan në vërtetësinë e këtij lajmi.
Disa të tjerë shpreheshin mosbesues me komente të ndryshme dhe me shumë të drejtë, pasi për më tepër se 20 vjet ishin ngopur me premtime boshe se rruga e fshatit të tyre do të rikonstruktohej.
Sot gjithçka është përmbysur dhe banorët e Bulos gati nuk po e besojnë se rruga e fshatit të tyre do të ketë një pamje tjetër në pak ditë. Rikonstruksioni i këtij segmenti prej 3 kilomentrash po shkon drejt fundit. Ka nisur faza e fundit e punimeve, asfaltimi dhe më tej kompletimi me sinjalistikë. Kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi, inspektoi nga afër punimet si dhe u takua me banorë të Bulos.
“Rikonstruksioni i kësaj rruge lehtëson ndjeshëm banorët e fshatit, sidomos fermerët, për të nxjerrë më shpejt dhe me më pak kosto, prodhimet e tyre në treg. Gjej rastin të falenderoj firmën që po përfundon punimet brenda një kohe të shkurtër.Njësoj si ky investim i rëndësishëm në Bulo, Bashkia Libohovë po punon për të realizuar edhe investime të tjera në infrastrukturën rrugore. Prioritet mbetet rruga e Suhës dhe Zagories, ndërsa në rrugën e Labovës do të investohet bashkë me restaurimin e Kishës”, shprehet kryebashkiakja në një postim në faqen e saj në Facebook.
Bashkë me rrugën po sistemohet me asfaltim, vijëzime e ndriçim edhe qendra e fshatit. Ky investim i rëndësishëm është financuar nga qeveria përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe kap një vlerë prej rreth 60 milionë lëkë.
Sipas kryebashkiakes Mandi, nevojat për investime të tjera janë të mëdha, duke shtuar se Bashkia Libohovë po punon me qeverinë për gjetur financim të projekteve të tjera infrastrukturore dhe jo vetëm, që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të zonës dhe përmirësojnë jetesën e banorëve. Inagurimi i rrugës së Bulos do të bëhet në ditët e ardhshme pasi të kenë përfunduar krejt punimet.
|Libohova Online|