Ish-drejtori i Kufirit në Gjirokastër emërohet Prefekt i Tiranës

Së bashku me ndryshimin e pesë zëvendës ministrave, sot në mbledhjen e qeverisë u ndryshuan edhe shtatë prefektë. Ndër emrat që bien në sy është ai i Admir Abriajt, i cili aktualisht mban postin e administratorit të zonës së Farkës në Bashkinë e Tiranës. Më herët ai ka mbajtur disa detyra në Gardën e Republikës dhe Policinë e Shtetit. Në vitin 1999 filloi punë në Gardë si oficer sigurie, ndërsa në vitet 2002-2005 ka punuar si zëdhënës i këtij institucioni. Në vitet 2005-2009 ka qenë shef i koordinimit në Gramsh ndërsa në vitin 2012 u emërua Drejtor i Kufirit në Gjirokastër. Pas ardhjes së Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, Abrija u emërua administrator i Farkës. Tashmë ai do të jetë prefekti i ri i Tiranës, duke zëvendësuar Sadi Vorpsin.