Ish-trajneri i Luftëtarit rrëfen pabesitë që iu bënë në Gjirokastër: Tavo s’më pagoi, më nxorën dhe nga shtëpia
Daniel Fernandez, ish-trajneri uruguaian i Luftëtarit është shumë i zhgënjyer nga eksperienca që ka kaluar te skuadra e Luftëtarit. Ai nuk ka marrë asnjë pagë mujore nga gjirokastritët dhe tani është gati t’i padisë ata në FIFA për një gë të tillë. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai ka folur në lidhje me problemet dhe pabesitë që i janë bërë gjatë qëndrimit në Gjirokastër.
“Aktualisht jam në qytetin e Laçit ku kam disa miq futbollistë dhe më kanë këshilluar të jetoj aty, pasi avokatët po merren me kontratën time. Dua të sqaroj se që në momentin e parë që kam ardhur në Shqipëri më është bërë pabesi nga Kurbejo, i cili kishte vetë ambicie të ishte trajner i par ëdhe jo unë. Ai më nxori keq para presidentit pasi dinte gjuhën greke. Megjithatë unë gjatë dy muajve që kam qëndruar në Gjirokastër nuk kanë marrë asnjë rrogë mujore, por vetëm një shumë parash kur firmosa kontratën. Madje gjërat erdhën deri aty sa më larguan nga shtëpia, për shkak se nuk kisha marrë asnjë qindarkë për ta paguar. Kurbejo dhe njerëzit e tij më bën puç dhe presidenti i besoi atij”, ishin fjalët e Fernandez.
Ku ndodheni aktualisht, u larguat nga Gjirokastra? Arritët t’i zgjidhnit problemet me kontratën?
Aktualisht ndodhem në qytetin e Laçit dhe po jetoj aty. Kam disa miq të futbollit dhe më kanë këshilluar të qëndroj aty. Kam kontaktuar me një zyrë avokatie, të cilët janë duke punuar për të zgjidhur situatën time.
Çfarë nuk shkon me kontratën tuaj dhe cilat ishin problemet. Klubi nuk ju pagoi apo ka diçka më shumë se kaq?
Nuk kisha më vend në Gjirokastër. Klubi nuk më pagoi dhe sigurisht që s’kisha ndër mend të qëndroja më aty. Për këtë fakt duhet të largohesha.
Tani çfarë do të bëni? Do të prisni zgjidhjen e kontratës, apo do të ktheheni në Uruguai?
Shikoni, fillimisht dua të shpjegoj problemet e para që pata me klubin dhe me Kurbejon. Që në ditën e parë që unë erdha në Shqipëri, gjërat nuk ishin ashtu siç i kishim parashikuar dhe parashtruar kur fola nga Uruguai. Klubi nuk u përgjigj siç duhej në asnjë aspekt. Mora vetëm një shumë parash në fillim dhe pastaj asnjë muaj pagë. Tani fillimisht dua të zgjidh problemet që u krijuan nga kjo situatë dhe pastaj do të shoh opsionet e së ardhmes.