Italishtja në Gjirokastër si gjuhë që plotëson kuota e mësimdhënies

25522356Gjirokastra hyn në ato qytete që kanë realizuar kuotën e mësimdhënies së italishtes. Ky është deklarimi që vjen nga drejtoresha didaktike për shkollat në Ambasadën Italiane në Tiranë, Lucia Cucareli.

E shoqëruar dhe nga konsulli italian i nderit në Gjirokastër Teodor Bilushi, zonja Cucareli, bisedoi nga afër me drejtues të shkollës 9-vjecare “Koto Hoxhi” dhe përfaqësues të bordit të prindërve. Ajo u shpreh se janë një sërë projektesh që pritet të zbatohen për kualifikimin e mësuesve me qëllim, rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies.
 
“Kam ardhur për të vizituar shkollat ku bëhet italisht. Në Gjirokastër mësohet dhe pëlqehet shumë mësimi i gjuhës italiane. Falenderoj edhe prindërit të cilët i sjellin dhe kanë dëshirë që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën italiane. Në bashkëpunim me konsullin e nderit Teodor Bilushi, jemi duke menduar një program pune për të bërë projekte dhe për të gjetur mënyra bashkëpunimi në mënyrë të tillë që të cojmë mësimdhënien e italishtes në një nivel më të lartë dhe për t’i dhënë një ndihmë të gjithë nxënësve dhe mësuesve që marrin pjesë në sistemin e mësimdhënies së gjuhës italiane në Gjirokastër. Ndryshe nga qytetet e tjera, një nga partnerët kryesorë në Gjirokastër, janë edhe prindërit të cilët këtu janë shumë aktive dhe shumë të interesuar. Gjirokastra është një qytet edhe europian jo vetëm me arkitekturë të hershme. Duke bashkëpunuar me konsullin e nderit Bilushi, ne do të bëjmë projekte të reja për t’a bërë më tërheqëse mësimdhënien e italishtes.”- tha  Lucia Cucareli.
 
Në përfundim të takimit nga nxënësit e seksioneve europiane dygjuhëshe, u shfaq një program artistik. Në shkollën 9-vjecare “Koto Hoxhi”, janë 160 nxënës që zhvillojnë pesë orë në javë italisht. Nga viti në vit, është rritur interesi për të frekuentuar seksionet europiane të cilat funsionojnë me sukses edhe në shkollën tjetër 9-vjecare në qytet, “Urani Rumbo”./Shqiptarja.com