Iu ankua Ramës në Gjirokastër, zbulohet historia e sherrit për një vend pune në Gjendjen Civile

Nga Brikena Metaj

Dëgjesat publike janë kthyer në mundësinë më të mirë të qytetarëve për të shprehur ankesat e tyre ndaj drejtuesve vendorë. Çështja qëndron pikërisht në vërtetësinë e fakteve të ofruara prej tyre.

Albert Brahollari ka qenë qytetari nga Këlcyra që iu ankua kryeministrit Rama gjatë dëgjesës në Gjirokastër me pretendimin se konkurset e zhvilluara për vende pune janë fiktive dhe nuk respektohen. “Balkanweb” ka komunikuar me të dyja palët e këtij konflikti, shtetasin Brahollari dhe kryetarin e Bashkisë Këlcyrë Klement Ndoni.

Brahollari pretendon se e shoqja është shpallur fituese e konkursit të organizuar nga DPGJC në vitin 2012 mes 4 kandidatëve pjesëmarrës në konkurs. Por sipas tij, pavarësisht kësaj, Bashkia Këlcyrë refuzon të punësojë fituesen e këtij konkursi duke mos respektuar rezultatin e konkursit.

Krejt ndryshe e paraqet situatën kryetari i Bashkisë Këlcyrë, i cili pohon faktin se në 2012 është zhvilluar një konkurs për vendin vakant të punonjëses së gjendjes civile në këtë bashki, pas largimit të punonjëses së mëparshme për shkelje në detyrë. Ndoni pohon se konkursi i rregullt në pamje të parë u zhvillua nga DPGJC në Tiranë prej nga dalin dy kandidatura pretendente për vendin e punonjësit të gjendjes civile.

Deri këtu gjithçka duket në rregull. Paradoksi qëndron në kandidaturat e vendosura përballë njëra-tjetrës për vendin vakant të punonjësit të gjendjes civile. Sipas kryetarit Ndoni, shtetasi Brahollari kishte ndërhyrë duke shfrytëzuar njohjet personale në DPGJC për të regjistruar si konkurrentë, të shoqen, mbesën, burrin e mbesës dhe një kushëri të gruas. Pra katër familjarë që konkurrojnë për një vend pune.

Në përfundim shpallen fitues bashkëshortja e Brahollarit dhe burri i mbesës. Ky i fundit tërhiqet nga kandidatura për vendin e punës duke kërkuar që të mbetet vetëm znj. Brahollari, që automatikisht duhej të punësohej në zyrën e gjendjes civile.

Bashkia Këlcyrë zhvillon një hetim administrativ ku bën verifikimet e nevojshme duke vërtetuar marrëdhënien familjare të kandidatëve për të njëjtin vend pune. Në këto kushte DPGJC shpall të pavlefshëm konkursin duke rrëzuar automatikisht kandidaturën e shpallur fituese për vendin e punonjësit të zyrës së gjendjes civile.

Por pavarësisht vendimit të fundit të DPGJC dhënë në 2013, shtetasi Albert Brahollari vijon të kërkojë të drejtën ligjore dhe vendin e punës së bashkëshortes së tij. Ai nuk pranon asnjë prej pretendimeve tashmë të faktuara të Bashkisë Këlcyrë.

Prezantimi i ankesës së tij para kryeministrit Rama ka qenë tentativa e fundit e tij, duke vijuar të quajë si të vlefshëm konkursin tashmë të skualifikuar nga vetë DPGJC e cila është detyruar të pranojë gabimet e veta pa ripërsëritur konkursin. Aktualisht, Zyra e Gjendjes Civile në Këlcyrë vijon të ketë si të punësuar një punonjës të komanduar.