Jeta e fëmijëve pas vdekjes së nënës, historia e dhimbshme e familjes Haloçi (FOTO)

Varfëria është ulur këmbëkryq në familjen e Osman Haloçit në Gjirokastër. Pas vdekjes së bashkëshortes 5 muaj më parë, 55-vjeçari mbeti i vetëm me dy fëmijët e mitur, 12 dhe 11 vjeç.
E vetmja e ardhur për ta, është pagesa e fëmijëve me statusin e jetimit dhe të ardhurat e pakta nga punët ditore të 55-vjeçarit, që rrëfen se tashmë i duhet të jetë nënë e babë për fëmijët e tij. Por ai pavarësisht kërkesave të vazhduara, nuk e ka patur mundësinë të gjejë një punë të përhershme.
Të ardhurat e pakta që kishte i shpenzoi për të kuruar bashkëshorten, e cila pavarësisht përpjekjeve, nuk mundi të shpëtojë nga vdekja.
“Jetoj me dy fëmijët e vegjël në shtëpi. Të tjerët janë larguar. Gruaja vdiq para 5 muajsh. Jetojmë mos më keq. Nuk kemi asnjë mundësi financiare. Jetojmë me 40 mijë lekë të vjetra pension që marrim për fëmijët. Ata mësojnë shumë, janë nxënës të mirë. Vetë nuk kam patur mundësi të punoj. Jam kujdesur për gruan. Tani jam i interesuar, kam shkuar të Zyra e Punës, e më kanë thënë që kur të ketë ndonjë vend pune do të të njoftojmë. Një vit të tërë jam kujdesur për gruan, e cila ishte shumë sëmurë. Kishim shumë shpenzime për të kuruar gruan, por nuk ia dolëm dot. Tani nuk kemi asnjë mundësi. Kur kemi ndonjë lekë, blejmë ndonjë ushqim”, tha 55-vjeçari per News 24.
Në banesën, që ndodhet shumë larg qendrës së qytetit ajo që bie më shumë në sy është varfëria që ka pushtuar këtë familje. Muret prej betoni, të mbuluara nga lagështira, dollapi i boshatisur dhe frigoriferi i zbrazët janë gjithçka që kanë fëmijët e mitur.
“Do doja të kisha edhe unë kushte më të mira jetese”, thotë djali i vogël.
Familja Haloçi ka ndërtuar banesën e tyre të thjeshtë në lagjen “Gërhot”, një prej lagjeve informale të qytetit, dhe dy fëmijëve të mitur u duhet të përshkojnë një rrugë të gjatë e të vështirë për të shkuar në shkollë, herë të ushqyer e herë jo, pa kujdesin e nënës dhe pa vëmendjen e shtetit./BW