Kadare nesër në Gjirokastër. I ka bërë edhe një kërkesë Zamira Ramit

kadareKryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami ka dhënë një njoftim shumë të rëndësishëm: ardhjen në qytetin e gurtë të shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Ismail Kadare, siç thotë kryetarja e Bashkisë, ka vetëm një kërkesë: takimi me bashkëqytetarët dhe dhurimi i autografëve për gjithë lexuesit.

“Në datat 13 dhe 14 maj, Gjirokastra përjeton një tjetër eveniment mjaft të rëndësishëm, vizitën e djalit të saj dhe krenarisë sonë kombëtare e ndërkombëtare, shkrimtarit Ismail Kadare. Është kënaqësia ime e veçantë t’i uroj mirësearrdhjen pas 9 vitesh mungesë dhe jam e sigurt që edhe ju jeni të entuziazmuar për këtë ngjarje. Gjatë bisedave paraprake që kam bërë me shkrimtarin, kërkesa e tij e vetme ishte takimi me bashkëqytetarët dhe dhurimi i autografëve për gjithë lexuesit. Kemi planifikuar ta organizojmë këtë takim ditën e premte, datë 13 maj, ora 19.30, në katin e katërt të kompleksit “Çajupi” për t’u dhënë mundësi të gjithë qytetarëve të jenë pjesë e këtij takimi miqësor”, bën me dije kryebashkiakja e Gjirokastrës.

Ndërkohë, ditën e shtunë, më datë 14 maj, përkthyesit zyrtarë të shkrimtarit nga gjithë bota dhe anëtarë të nderuar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të jenë së bashku me z. Kadare në Gjirokastër në një tjetër aktivitet dinjitoz, konferencën shkencore “Shekulli i Kadaresë”.