Kadare rikthehet në shtëpi. Viziton banesën ku lindi 80 vite më parë

tmp_29301-kadare-780x439-1005306894Ismail Kadare u rikthye në Gjirokastër, në shtëpinë ku lindi 80 vite më parë. Tashmë e kthyer në shtëpi muze, Kadareja dhe bashkëshortja e tij Helena, pritën miqtë, akademikë, studiues dhe përkthyes të veprës së tij në botë. Ata shprehën mirënjohjen për autorin, duke vënë theksin në ndikimin që Gjirokastra pati në formimin e tij letrar.

Vetë shkrimtari i madh nuk e fshehu emocionin teksa kthehej në kohë 6 dekada më parë dhe vizitonte çdo cep të shtëpisë.

Nga kjo banesë dhe ky qytet i gurtë, ku autori kaloi 17 vitet e para të jetës në lagjen “Palorto”, erdhi edhe frymëzimi për të krijuar ato që më vonë do të bëheshin kryevepra botërore, si “Kronikë në gur”, “Emblema e dikurshme’, “Ura me tri harqe” apo “Pallati i ëndrrave”.

Eric Faye, përkthyes i Kadaresë në gjuhën frënge, tha: “Përfitoj nga rasti të them se Gjirokastra ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin intelektual të Kadaresë. Mendoj se nëse shkrimtari do të kishte lindur në një qytet tjetër të Shqipërisë, vepra e tij do të ishte krejt ndryshe nga kjo që është. Ky qytet i ka dhënë shumë imagjinatës së shkrimtarit”.

Ndërsa Peter Morgan, profesor në Universitetin e Sidneit (Australi), u shpreh: “Librin “Pallati i ëndrrave” të Ismail Kadaresë nisa t’ua mësoja studentëve në vitet ’90 për t’i prezantuar me kulturën shqiptare dhe atë ballkanase. Ajo që kuptova menjëherë ishte se tekstet e tij janë të mrekullueshme. Ato u flasin direkt studentëve edhe në anën tjetër të botës. Në kohën kur letërsia po luan rol të rëndësishëm, është thelbësore që Kadareja të vijojë të përkthehet e të shpërndahet në botë.”

Shtëpia “Kadare” u hap në 28 janar, në 80-vjetorin e lindjes së autorit dhe do të jetë një nga objektet më të vizitueshme gjatë sezonit turistik./tch