Kalaja e Labovës dhe Shën Triadhës, dy monumente që njihen pak

Kalaja e Labovës së Kryqit, e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1963, ndodhet pranë fshatit Labovë e Kryqit, Bashkia Libohovë. Fortifikimi është ndërtuar në një masë shkëmbore të shkëputur prej malit Bureto në perëndim të Labovës.

Ky vendbanim identifikohet nga studiuesit edhe me emrin Paleokastër, pasi kodra mban këtë emër. Gjatësia mesatare e konservuar e mureve është rreth 160 m.

Në anën jugore ndodhet një kullë në formë trapezoidale, ndërsa në anënperëndimore një hyrje e përforcuar me kullë gjysmë rrethore. Brenda perimetrit të murit dallohen ndërtime shtëpish. Informacionet për kohën e ndërtimit janë sporadike, por mendohet që faza e parë e ndërtimit i përket shek. V para Krishtit. Zë një sipërfaqe 78 ha.

Kështjella e Shën Triadhës, e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1963, ndodhet në afërsi të fshatit Valare, Bashkia Gjirokastër. U ndërtua rreth viteve 1809-1810 mbi një nga lartësitë e vargut të kodrave që shtrihen në lindje të Luginës së Drinosit.

Kështjella ka formë katërkëndëshe, me katër kulla poligonale në qoshet, ndërsa hyrja e vetme hapej nga veriu.