Kalldrëmi i lagjes Varrosh, PD ankohet për mungesë transparence

Kalldreme-420x315Kalldrëmi i lagjes Varosh  një ndër me të vjetra në Gjirokastër ka ndezur debat për mënyrën e rindërtimit në qytetin e gurtë.  Kreu i Partisë Demokratike në këtë qytet Roland Bejko e konsideron ndërhyrje të papërgjegjshme  rindërtimin që po i bëhet kalldrëmit të  lagjes së vjetër të tregtarëve. Sipas zotit Bejko rruga e bllokuar në të dy kahet ka shkaktuar pështjellim në lëvizje dhe për më tepër po shkelen të gjitha standardet e rindërtimit pasi nuk ekziston asnjë leje për ndërhyrje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.

“Ka disa parregullsi. Së pari mungon një tabelë informimi për të gjithë qytetarët që janë të interesuar të marrin vesh se kush e kryen këtë punim dhe sa kushton. A ka një afat të fillimit dhe të mbarimit të punimeve? Dhe mbi të gjitha sa është shuma e vendosur në dispozicion? Duhet të ketë një leje të miratuar nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, që sipas të dhënave që ne kemi, bashkia nuk e ka, bashkia e cila është përgjegjëse për kryerjen e këtyre punimeve. Firma që kryen punimet duhet të jetë e licensuar sepse po kryen punime në një zonë muzeale”, thotë kreu i Partisë Demokratike në Gjirokastër, Roland Bejko.

Bashkia e Gjirokastrës pretendeon se është duke respektuar të gjitha kriteret e ligjit të trashëgimisë  për të kthyer në identitet lagjen e vjetër të tregtarëve. Sipas nënkryetarit të bashkisë, Vangjel Muço   në këtë rrugë historike do të respektohen në detaje të gjitha teknikat  e dikurshme të ndërtimit.

Gjirokastra ka gjatësinë më të madhe të rrugëve të brendshme pas Tiranës. Një pjesë e tyre u betonizuan gjatë dekades së fundit duke zëvendësuar kalldrëmin qindra-vjeçar të dëmtuar. /koha jone