Kampi i restauratorëve të rinj në Gjirokastër: T’ua lëmë shtëpitë pasardhësve, siç na i lanë ne të parët!
Më shumë se 20 studentë dhe profesionistë të rinj nga 6 vende të Ballkanit janë mbledhur në Gjirokastër, për të marrë pjesë në Kampin e 31-të Rajonale të Restaurimit që trajton temën “Konservim dhe interpretim i monumenteve të kulturës”.
Pjesëmarrësit po përfitojnë dijet më të fundit në fushën e restaurimit dhe interpretimit të trashëgimisë nga ekspertë të njohur nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Greqia, Italia, Anglia, dhe Suedia.
Elena Mamani, zv. Drejtore e organizatës Trashëgimia Kulturore pa Kufij, shprehet se “punët gjatë këtij kampi dy javor janë përqëndruar në ndërhyrje në 3 monumente kulture të kategorisë së parë në Gjirokastër”.
“Jemi duke përfunduar punimet në çatinë e Banesës Angoni në Dunavat. Po në këtë banesë po punojmë në suvatimin e njërës prej dhomave. Po ashtu, kemi restauruar portën e familjes Toro si dhe jemi afër mbylljes së punimeve në fasadën e Familjes Jaho. Të gjitha këto, duke përdorur teknikat dhe mjeshtëritë tradicionale”.
Në këto ndërhyrje studentët janë udhëhequr nga mjeshtra me përvojë nga Gjirokastra, por edhe Kosova. Për mjeshtrin e çativee nga Gjirokastra, Arif Huso, “studentët dhe profesionistët e rinj në banesën Angoni janë të interesuar dhe punojnë deri në sacrificë”.
Nga ana tjetër edhe komuniteti shprehet i kënaqur me punën e zhvilluar. Raimonda Kallapudhi, trashëgimtare e familjes Jaho, shpjegon se ajo është përpjekur të ruajë të vjetrën me fanatizëm. Arsyeja pas kësaj është e thjeshtë. “Dua që një ose dy dhoma t’i kthej në “guest house” për turistë. Të ardhurat që do të fitoj do t’i investoj të gjitha për t’i kthyer lavdinë e dikurshme shtëpisë. Kohën kur ishte shtëpia me oborrin më të bukur, me trëndafila turqie, dhe ku te muslluku vinin tëre gratë e lagjes për të mbushur ujë. Shtëpia ime është e paçmueshme. Siç na e lanë të parët, ashtu do t’ua lemë edhe ne pasardhësve”, shpjegon ajo.
Për studentët kjo është një eksperienë e pashlyeshme. Ata po ndjekin me përpikëri këshillat e mjeshtrave dhe pavarësisht kohës së shkurtër në Kamp kanë fituar siguri në atë ç’ka bëjnë.
Kampet Rajonale të Restaurimit organizohen nga CHwB Shqipëri dhe përfaqësojnë një model trajnimi të thjeshtë dhe të suksesshëm, i cili nisi në vitin 2007 në Shqipëri dhe tani është përhapur në katër vende të tjera të Ballkanit. Objektivat kryesore të kësaj platforme edukative janë përdorimi i trashëgimisë kulturore për ndërtimin e marrëdhënieve mes profesionistëve të rinj, duke krijuar kushte për paqe dhe demokraci, dhe për të ruajtur mjeshtëritë dhe teknikat tradicionale.
Organizata “Trashëgimia Kulturore pa Kufij“ i është dedikuar mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore prej më shumë se 20 vjetësh. Në aktivitetetet e saj organizata ka gjetur partneritetin e Ministrisë së Kulturës, përmes Drejtorive Rajonale të Kulturës Kombëtare, si dhe mbështetjen financiare nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SIDA).