Kandidatja e PD në Gjirokastër, kualifikim në “Bachelor” dhe asnjë përvojë punë. CV-ja e Vjollca Lukes

Çuditë me CV-të e kandidatëve për deputetë në këto zgjedhje s’kanë të sosur. Pak ditë më parë publikuam CV-në e kandidates së LSI-së në Gjirokastër, Freskida Çako, e cila kishte të shënuar si kualifikim faktin që zotëronte një çertifikatë që tregonte se dinte të përdorte paketën Microsoft Office.

Sot po publikojmë CV-në e Vjollca Lukes, e cila është kandidate për deputete e Partisë Demokratike në qarkun Gjirokastër. Ajo renditet në vendin e fundit të listës. Luke shkruan se ka përfunduar arsimin e lartë, ndonëse nuk jep as programin e studimit dhe as universitetin se ku është diplomuar. Gafën e bën kur shkruan se ka si kualifikim “Bachelor”. Dikush nga PD-ja duhet t’i sqarojë kandidates për deputete se Bachelor nuk është kualifikim, por cikli i parë i studimeve (3 vjet) sipas Kartës së Bolonjës.

Sa i përket eksperiencës në punë, Vjollca Luke s’ka asgjë të shënuar. Kurse për aktivitetet shoqërore dhe politike shkruan se ka qenë aktiviste te shoqata “Vizion i së ardhmes”.

As Vjollca Luke dhe asnjë prej femrave që PD ka në listën e qarkut Gjirokastër s’kanë për të dalë fituese në zgjedhje, prandaj ato janë aty thjesht sa për fasadë, ndërsa PD paguan gjobë në KQZ për mosrespektimin e kuotave gjinore.

CV-ja e Vjollca Lukes, Freskida Çakos apo shumë kandidatëve të tjerë tregon se në çfarë derexheje është katandisur sot përfaqësimi i shqiptarëve në Kuvend.

Futen nëpër lista, kandidatë pa pikën e përvojës apo kualifikimit. Njerëz që më së paku nuk dinë të plotësojnë një Curriculim Vitae (CV) e jo më të presësh që ata të bëjnë ligje dhe marrin vendime për ne. Më poshtë CV-ja e plotë e kandidates së PD-së në Gjirokastër dhe pjesë nga formulari i saj i dekriminalizimit.

/ArgjiroLajm.net/