Karriera e Genc Rulit, hyrja e papritur dhe fundi i paralajmëruar i deputetit të Gjirokastrës

Nga telefonata e Pragës, te refuzimi për të kandiduar në zgjedhjet e vitit 2017: 26 vite politikë të Genc Rulit, mes përplasjeve dhe kompromiseve me Sali Berishën. Si e nisi, kush e promovoi, kur u largua, rikthimi në vitin 2005 dhe akuzat për CEZ… Kjo është karriera e Genc Rulit në Shqipërinë e tranzicionit.

Hyrja e Genc Rulit në politikë ishte e papritur, ndërsa dalja prej saj ishte e paralajmëruar. Në një intervistë të një muaji më parë, Ruli paralajmëroi se “Mund të largohem nga politika.” Por në kulmin e protestës së opozitës, pak kush e mori deklaratën e tij si seriozisht. Sot, zyrtarisht ai i kërkoi Lulzim Bashës që mos ta kandidojë në listat për deputetë. Ruli përfaqëson identikitin e politikanit intelektual të tranzicionit shqiptar, duke kaluar nga përplasjet e forta me lidershipin te kompromiset politike, por pa harruar provokimet intelektuale dhe pickimet mediatike.

Në vitin 1991 Genc Ruli ishte akademiku që po ngjiste shpejt shkallët e karrierës dhe mbante titullin “Doktor Shkencash”. Ndodhej në Pragë kur një telefonatë nga kryesia e Partisë Demokratike i tha se ishte propozuar për të mbajtur postin e Ministrit të Financave në qeverinë e stabilitetit të Ylli Bufit. Më vonë ia konfirmoi edhe kunati i tij, ekonomisti i ideve liberale Gramoz Pashko. Ruli ishte ministri i fundit që plotësoi kabinetin e Qeverisë së Stabilitetit, pasi bëri betimin rreth një muaj më pas. Ai ishte Ministër i Financave, kunati i tij Gramoz Pashko ishte zëvendës kryeministër dhe Ministër i Ekonomisë.

Genc Ruli me Sali Berishën dhe Fatos Nanon në vitin 1991.

Gëzimi i fitores së zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1992, nuk zgjati shumë. Themeluesi i PD-së dhe sigurisht një ndër promotorët e katapultimit të Genc Rulit në qeveri, Gramoz Pashko pati përplasjen e madhe me Sali Berishën. Me instiktin e politikanit, Berisha e dinte se nuk mund të bënte dy armiq njëherësh, ndaj nuk hezitoi t’i propozonte Genc Rulit postin e Ministrit të Ekonomisë dhe Financave. E ndërsa Ruli ishte në kulmin e karrierës, Pashko ishte “si hija e Brankos që nuk do t’i shqitej Makbethit”, në këtë rast Berishës.

Por edhe për Rulin muaji i mjaltit do të mbaronte shumë shpejt. Nën frymën autoritare të Berishës në Partinë Demokratike, nuk ishin të paktë deputetët reaksionarë që dolën kundër linjës së tij. Përplasja me Berishën kulmoi në vitin 1994, kur për të ashtuquajturën “afera e drurit të ahut” u kërkua heqja e imunitetit të ministrave Genc Ruli dhe Rexhep Uka. Por parlamenti nuk e miratoi diçka të tillë, duke shpëtuar ministrat nga inkuizicioni berishian. Kjo ishte fitorja e parë e Rulit ndaj Berishës.

Së bashku me Dashamir Shehin, Arben Imamin, Gramoz Pashkon, Rexhep Ukën e disa deputetë të tjerë, Genc Ruli u shkëput përfundimisht nga Partia Demokratike me mbarimin e mandatit në vitin 1996. Për të gjithë “liberalët e parë” të Shqipërisë, Partia Demokratike nuk ishte më streha e mendimit të lirë, por partia autoritare e Berishës.

***

Rikthimi në qeverinë e Berishës.

Pas nëntë vitesh, Sali Berisha ishte ende kryetar i Partisë Demokratike dhe viti 2005 ishte shansi i fundit për të mos i thënë politikës “lamtumirë”. Ai pranoi gabimet e bëra në drejtimin e partisë dhe hapi dyert e partisë për të larguarit e mëdhenj. Të gjithë e gjetën rrugën e rikthimit, si Gramoz Pashko, ashtu edhe Genc Ruli së bashku me Arben Imamin, Preç Zogajn dhe gjithë mocionistët e tjerë. Ruli arriti të fitonte në një bastion të majtë, siç ishte Gjirokastra e për këtë u shpërblye me postin e Ministrit të Ekonomisë dhe Energjitikës në qeverinë e parë të Berishës. Rikthimi i Rulit në PD, ishte më i qetë se hyrja në fillim në vitin 1991.

Në tetë vitet e qeverisjes së Berishës, Ruli mbajti tone të ulëta, duke pranuar kompromiset dhe duke u cilësuar si një personazh me nuhatje të lartë politike. Mandati i dytë i Berishës e gjeti në një ministri të profilit më të ulët, në Ministrinë e Bujqësisë, ndërsa marrëdhëniet me Lulzim Bashën kanë qenë mes mbështetjes dhe “pickimeve” mediatike./Tiranapost.al