“Ke filanin në punë, do të heqim biznesin dhe kullotat”, blegtorët në Gjirokastër: Na kanë bërë presion të mos dalim në protestë (VIDEO)

Për të disatën herë blegtorët në Gjirokastër kanë protestuar në hyrje të aksit Kardhiq-Delvinë, për përmbushjen e 4 kërkesave të tyre: rritjen e çmimit të shitjes së qumështit, dyfishimin e subvencioneve, mundësimin e kontratave 15-vjeçare për kullotat dhe bllokimin e përkohshëm të produkteve të importit.

Ata thonë se prej kohësh në treg operojnë baxho të palicencuara. Blegtorët denoncuan edhe kërcënimet që sipas tyre iu janë bërë për të mos dalë në protestë.

“Nëse nuk reagojnë do na kenë në rrugë përsëri. Na kanë thënë mos dilni se ke filanin në punë, kanë përdorur dhe policinë. Po ne nuk kemi asgjë, ne nuk do të pushojmë”, tregoi blegtori Alket Stroka.

Zgjidhjet sipas blegtorëve janë të thjeshta, por për to duhet vullnet nga ana e qeverisë.

“4 pika kemi për ministren: e para subvencionet, çmimi i qumështit, mishit dhe të bllokohet importi në momentin që ne dalim ne treg, si mund të vijë qumështi nga Serbia me 80 lekë. Keta e sollën këtë problem që ne dolëm këtu! Ne kërkojmë të dalim në treg me made in Albania, shelegu im të ketë targën time, qumështi im të ketë vulën time, jo të vijë nga Rumania të therët në Fier e pastaj i vihet vula jonë. Kjo na ka varrosur!”, tha blegtori Alket Stroka.

Kërkesat po diskutohen në një takim me dyer të mbyllura me ministren e Bujqësisë, Anila Denaj, e cila mbërriti në Gjirokastër vetëm pak pas protestës së tyre.

Përpara takimit, blegtorët thanë se nëse nuk arrihet në një marrëveshje do të dalin në sërish në protesta./Vizion Plus