Kërkoni leje ndërtimi? Tani aplikimi bëhet vetëm online te Bashkia

BashkiaPrej 1 shtatorit, çdo aplikim për leje ndërtimi, leje zhvillimore apo deklaratë paraprake për kryerje punimesh në banesë do të mund të kryhet vetëm online. Ministria e Zhvillimit Urban ka njoftuar dje se pas datës 31 gusht, nuk do të pranohen më aplikimet e bëra dorazi.
Një praktikë e tillë pritet të shmangë radhët e gjata, sorollatjet, por mbi të gjitha korrupsionin sepse çdo procedurë mund të kryhet nga shtëpia. “Jo më zvarritje dhe korrupsion për lejet e ndërtimit, shkruan ‘Panorama’.
Pas 1 shtatorit, nuk do të ketë më aplikime dorazi. Qytetarët, bizneset apo profesionistët në fushën e ndërtimit, pas kësaj date do të mund të aplikojnë vetëm në formë elektronike, përmes portalit unik ‘e¬Albania’.

Çdo kërkesë për leje ndërtimi apo leje zhvillimore duhet të kryhet vetëm nëpërmjet internetit. Pozitive në këtë mes është fakti që i gjithë dokumentacioni që kërkohet, ngarkohet automatikisht pa qenë e nevojshme trokitja në dyert e institucionit.
APLIKIMI
Në portalin “e¬Albania” zgjidhet opsioni “e¬shërbime”. Përpara do të shfaqet një tabelë, e cila duhet të plotësohet me të dhënat personale, si dhe dokumentacionin shoqërues. Pasi dosja plotësohet, kërkesa mbërrin në Bashki nga ku nis të shqyrtohet. Prej fillimit deri në fazën finale, qytetari do të informohet mbi ecurinë e aplikimit që ka kryer.
Në sajë të këtij sistemi të ri që është ngritur dhe do të nisë të funksionojë, do të bëhet i mundur edhe shkurtimi i kohës për marrjen e lejes, nga 60 ditë që ka qenë në 45 ditë.