Këshillim karriere për maturantët, Universiteti ‘Eqrem Çabej’ nis fushatën informuese në gjimnazet e Gjirokastrës (FOTO)

Në kuadër të orëve të këshillimit të karrierës, Universiteti ‘Eqrem Çabej’ në Gjirokastër ka nisur një tur takimesh me maturantët.

Pedagogë të këtij universiteti ishin sot në gjimnazet ‘Siri Shapllo’ e ‘Asim Zeneli’, ku zhvilluan një bashkëbisedim me maturantët, për t’i informuar ata rreth programeve të studimit që ofron ky institucion i arsimit të lartë.

Theksi u vu tek tradita dhjetëra vjeçare e Universitetit ‘Eqrem Çabej’, stafi i kualifikuar dhe kalimi me sukses i akreditimit të bërë nga agjencia britanike, e kontraktuar nga qeveria shqiptare.

Në total ky universitet ofron 18 programe studimi në tre fakultetet e tij. Takime të tilla informuese të pedagogëve do të vijojnë edhe në gjimnazet e tjera të qarkut Gjirokastër, por edhe të qyteteve të tjera kryesisht në jug të vendit, duke u shtrirë kështu në të gjithë hartën gjeografike prej nga ku vijnë studentët që zgjedhin Universitetin ‘Eqrem Çabej’.