Këshilltarët e Libohovës “rebelohen” ndaj Qeverisë, bojkotojnë mbledhjen e Këshillit Bashkiak

Keshilli Bashkiak i LibohovesKëshilli Bashkiak i Libohovës bojkoton mbledhjen e parashikuar të zhvillohej sot. Vendimi i marrë në mënyrë unanime nga të 11 këshilltarët e pranishëm, vjen si shenjë proteste ndaj një projektligji të Qeverisë, që parashikon heqjen e pagesës mujore për anëtarët e Këshillave Bashkiak të organeve të qeverisjes vendore. Propozimin për bojkot e ka dhënë këshilltari i PS-së, Asim Banushi. Më pas është mbështetur edhe nga anëtarët e tjerë të të gjitha partive.

Një grup prej tre këshilltarësh (Bexhet Çobani, Asim Banushi dhe Rakipe Spahi) do të merret me hartimin e një kërkese për kundërshtimin e këtij projektligji. Kërkesa do t’i dërgohet Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Parlamentit. Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Libohovës marrin një pagesë mujore prej 7 mijë lekësh të reja.

Projektligji i Qeverisë parashikon heqjen e pagesave, megjithatë “rebelimi” i këshilltarëve të Libohovës duket i parakohshëm, pasi drafti nuk është shqyrtuar as me grupet e interesit, as në komisionet e parlamentare, e jo më të shkojë për miratim në Kuvend.

Në rendin e ditës të kësaj mbledhje, Këshilli Bashkiak kisht parashikur të shqyrtonte këto cështje:

  1. Informacion nga zyra e Finances dhe tatim-taksave: “Mbi realizimin e te ardhurave e shpenzimeve per vitin 2015 dhe hartimin e buxhetit te vitit 2016”.
  2. Informacion nga zyra e Financës : “ Për një ndryshim në nivelin e pagave të punonjësve të bashkisë” Marrja e Vendimit përkatës.
  3. Informacion nga zyra e Financës: “ Për përdorimin e fondit rezervë” Marrja e vendimit perkatës.
  4. Informacion nga zyra e Personelit: “ Për një ndryshim në VKB nr 42 datë 05/08/2015 të numrit të punonjsve të bashkisë, institucioneve vartse dhe te njësive administrative” Marrja e vendimit perkatës.
  5. Informacion nga zyra e Kulturës: “Për miratimin e emblemës së Bashkisë Libohovë”. Marrja e vendimit përkatës.
  6. Informacion nga zyra e Urbanistikës: “ Për kalimin e pastrim- gjelbërim, mirëmbajte varrezash ne varësi të bashkisë” Marrja e vendimit përkatës.
  7. Miratimi i dhënies së ndihmës ekonomike dhe paaftësisë për muajin nentor 2015.-Marrja e vendimit përkatës.