Kina jep 2 milionë dollarë për Teatrin Kombëtar, Kumbaro nënshkruan marrëveshjen

Qeveria e Republikës Popullore të Kinës dhe Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, nënshkruan më datën 9 maj 2017 marrëveshjen për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimin ekonomiko-teknike ndërmjet dy vendeve. Qeveria e Republikës Popullore të Kinës i jep Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë një grant me vlerë 2 milionë dollarë, që do të përdoren për dhurimin e pajisjeve në zbatimin e punimeve të projektit me objekt: Rikonstruksioni i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Marrëveshja ekonomike-teknike ndërmjet Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë u nënshkrua në ambientet e Ministrisë së Kulturës, nga Ministrja e Kulturës, Znj. Mirela Kumbaro dhe Ambasadorja e R.P. të Kinës në Shqipëri, Shkëlqesia e saj, Madame Jiang Yu.

Ministrja e Kulturës, Znj. Mirela Kumbaro u shpreh se “Jemi në një moment të rëndësishëm të bashkëpunimit tonë, ku R.P e Kinës, jo vetëm që jep një kontribut të vyer, por edhe lë gjurmën e vet në qendër të Tiranës. Marrëveshja e bashkëpunimit kulturor me Kinën është një nga më të suksesshmet”.

Pas nënshkrimit të Deklaratës së përbashkët të Iniciativës për Kulturën 16+1 ku bëjnë pjesë vendet e Europës Qendrore- Lindore dhe Kina në Sofje, dy ministrat e kulturës, Mirela Kumbaro dhe Luo Shugang ndërtuan marrëdhënie më të ngushta dypalëshe duke intensifikuar programin e bashkëpunimit kulturor. Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit kulturor, Shqipëria dhe Kina kanë firmosur marrëveshjen e përbashkët 5 -vjeçare. Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë nga ministrja Znj. Mirela Kumbaro dhe zëvendës ministri kinez i kulturës Ding Wei.