Kisha e Shën Kollit në Saraqinishtë, restaurimet e kryera dëmtuan monumentin

ldfhlffgNga Brikena Metaj

Restaurimet e kryera në një prej objekteve monument kulture, ndër më të rrallat e trashëgimisë kulturore në Gjirokastër, kisha e Shën Kollit në Saraqinishtë, kanë shkaktuar dëmtime serioze në këtë monument. Pohimi vjen nga specialistët e trashëgimisë kulturore të cilët ngrenë alarmin mbi mënyrën e përdorur për restaurim.

Arkitekti dhe specialisti i trashëgimisë kulturore Reshat Gega pohon se niveli i ndërhyrjeve në atë kishë është një nga rastet më të rënda të ndërhyrjeve restauruese. Sipas Gegës më e rëndë është ndërhyrja në afreske ku mbushjet dhe suvatimet kanë përfshirë edhe pjesë të pikturave.

E ndërtuar në vitin 1660, kisha e Shën Kollit është shpallur monument i kategorisë së parë. Tre herë rresht kjo kishë ka rënë pre e grabitësve që kanë marrë çdo send brenda kishës, ndërsa prej vitesh vuante mungesën e investimeve dhe lagështia kish dëmtuar afresket me vlera të rralla.

Por ndërhyrjet e fundit restauruese të kryera si pjesë e një projekti të hartuar në prill 2012 nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe të miratuar nga KKR me një shifër që shkon në rreth 3 milion lekë (2 999 123 lekë) kanë shkatërruar edhe një pjesë të afreskeve të mbetura.

Në këtë rast restaurimi është shumë herë më keq sesa harresa që e ka shoqëruar këtë monument kulture në vite./BW