KLSH kallëzon ish-kryebashkiakun e Memaliajt
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori ish-kryetarin e Bashkisë Memaliaj, pasi dyshohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm në buxhet që kap vlerën e 5 milionë lekëve.
Shkeljet u konstatuan pas auditimit në Bashkinë e Memaliajt, ndërkohë që është depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër kallëzimi penal për ish-kryetarin e Bashkisë së Memaliajt, Lulëzim Meçe dhe një punonjës të kësaj bashkie, të cilët akuzohen për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
Bëhet e ditur se pas auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë gjetur shkelje në dhënien e tenderave publikë, në shkelje të ligjit “Për Prokurimin Publik” në lidhje me mirë përdorimin e fondeve buxhetore, pasi nuk janë kursyer fonde buxhetore, duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit dëm ekonomik në vlerën 5,035,490 lekë me TVSH.
Në tenderin me objekt rikonstruksionin e disa rrugëve Bashkia ka skualifikuar njërin nga operatorëve ekonomikë, i cili ka paraqitur ofertën ekonomike më të ulët në vlerë se operatori i kualifikuar dhe i shpallur fitues, me diferencë vlerën 4,196,242 lekë, pa TVSH.