Kodi Rrugor, ulen gjobat në rastet e shkeljes së semaforit

24Përgjysmohen gjobat në rastet kur shkelet semafori në qarkullimin e automjeteve. Komisioni i Ligjeve ka miratuar ndryshimet në Kodin Rrugor ku parashikoheshin gjoba 40-50 mijë lekë në rast se një drejtues mjeti shkelte semaforin.

Tashmë me ndryshimin e miratuar, i propozuar nga deputetë të mazhorancës, masa administrative ndaj shkelësve do të variojë nga 20-30 mijë lekë.

Po ashtu edhe në rastet e përsëritjes së shkeljes së semaforit deputetët kanë rënë dakord me Ministrinë e Brendshme që në rastet kur gabimi përsëritet më shumë se dy herë brenda dy vjetëve, atëherë vendosja e gjobës do të pasohet edhe me pezullimin e patentës nga 9 deri në 12 muaj.

Kodi Rrugor i ndryshuar, që i bashkangjitet përditësimit të ligjeve në fushën e transportit sipas direktivave të Bashkimit Europian, sjell një sërë risish, si për shembull, të gjithë personat që kanë varësi nga alkooli apo lëndët narkotike nuk do të pajisen me leje drejtimi, apo personat që transportojnë fëmijët në shkolla duhet të kenë leje të posaçme për ta kryer këtë funksion.

Risi tjetër e projektit është dhe detyrimi për drejtuesit e mjeteve që t’i pajisin automjetet me ndenjëse të posaçme për fëmijët deri në 12 vjeç. Po ashtu, personat që do të merren me transport pasagjerësh do të pajisen me leje të veçantë drejtimi.