Komedia e Qarkut të Gjirokastrës

elmaziNga Elmaz Gorica

Sinqerisht më vjen shumë mirë kur ndërmerren reforma nga qeveria aktuale dhe kam besim të patundur te ndryshimi i shumëpritur. Edhe shkurtimet në administratat e Këshillave të Qarqeve janë nisma mjaft të admirueshme, pasi unë dhe specialistë të tjerë të këtyre institucioneve mbarë vendin kemi konstatuar, se me kompetencat aktuale që kanë qarqet, administratat e fryra janë të pajustifikueshme. Megjithatë, puna e kryer në vite nga qarqe të ndryshme ka diferencime. Ato qarqe që drejtohen me kompetencë nga titullarët kanë mundur të gjejnë mënyra për të tërhequr investitorë të ndryshëm. Vetë Këshilli i Qarkut të Gjirokastrës ka eksperiencë të vyer në këtë drejtim. Gjatë 11 vjetëve nën drejtimin e kryetarëve të mëparshëm, kjo administratë ka funksionuar shumë mirë dhe ka implementuar shumë projekte të standardeve europiane. Rastësia solli që në mandatin e fundit të ish-qeverisjes, në krye të këshillit të vinte një emër i çuditshëm, Sulo Muço. Vitet e para të punës së tij, ai ia kushtoi gjyqeve për të qëndruar kryetar qarku. Hartoi strukturën administrative të qarkut dhe punësoi njerëz që do ta ndihmonin të fitonte gjyqet që kishte. Qëllimit ia arriti edhe pse me vonese.

Pas kësaj menduam se ai do të angazhohej në problematikat e qarkut, por jo. Ndryshoi vetëm kollaren dhe kostumin, por puna mbeti njësoj. Dhe ata që kishin dëshirë të punonin ai i pengonte, pasi nuk kuptonte shumë nga punët që kryen në këtë institucion. Këtë e kam provuar vetë në kurriz. Kam 15 vjet që punoj si specialist i projekteve konkurruese të INTEREGUT dhe IPA-s. Kam bërë shumë trajnime në funksion të detyrës brenda dhe jashtë vendit. Kam aplikuar për mbi 10 projekte dhe kemi fituar 5 prej tyre. Mirëpo, Muço nuk fitonte dot asnjë projekt që kishte bërë. Mundohesha t’i shpjegoja dinamikën e punës, por ai nuk kuptonte. Kur dilte nëpër studiot televizive merrte me vete raportet e mia të periudhës 2000-2005 dhe fliste për to si të ishin të reja. Unë detyrohesha të ndihmoja komuna dhe drejtori rajonale në hartimin e projekteve, pasi nuk kishte njerëz të kualifikuar dhe ai më ndalonte duke më thënë se nuk ka pse qarku të merret me komunat. Në katër vjetët e detyrës së tij nuk shkeli në asnjë komunë për të cilën qarku mban përgjegjësi. Ai kishte marrëdhënie të acaruara me shumicën e kryetarëve të komunës. Shpesh në mbledhjet e këshillit debatoja me të por nuk kuptonte.

Mbledhjet i bënte 15-minutëshe dhe përgjithësisht fliste vetëm ai. Specialistët që vareshin nga qarku vinin nga largësi të mëdha në mbledhje për të dëgjuar asgjë. Dietat e udhëtimeve i merrte Muço dhe eskorta e tij. Benzinën e mbante në xhepin e brendshëm të xhaketës vetëm për veten e vet. Administrata e qarkut u shkurtua me të drejtë por Sulo vendosi vetë për gjithçka. E bëri strukturën në funksion të njerëzve që do të merrte në punë. Përveç financiarëve, të punësuarit e tjerë ishin nga rrethi që do ta ndihmonte atë të fitonte gjyqet. Përgjegjës i burimeve njerëzore u emërua një shofer, ndërsa në vendin tim mban një ose dy zonja. Më vjen keq që punova tre vjet e ca me Sulon. Shikoj administratën e Bashkisë Gjirokastër dhe kam zili. Drejtuesit udhëheqin me kompetencë dhe mirëkuptim. Duke e mbyllur do të kërkoja nga qeveria e Edi Ramës që reformat e mira që ndërmerr mos ti lërë në mes dhe zbatimin e tyre ta lërë në dorën e kompetentëve, pasi në këtë formë, në vend që të shkojmë te vetulla nxjerrim sytë./shekulli