Konkursi i festave lokale, Bashkia Gjirokastër fiton me festën ‘Divani Lunxhot’

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, gjatë tre muajve në vazhdim do të mbështesin 21 festa, të cilat u shpallën fituese gjatë edicionit të dytë të aktivitetit “South Outdoor Festival – Himara 2018”, organizuar nga GIZ këtë fundjavë në Vuno.

Konkursi “Festat lokale” i cili u hap para 3 javëve, kishte për qëllim zgjimin e aktiviteteve në fshat, duke bërë protagoniste, festat lokale, si një mundësi për të gjeneruar ekonomi lokale, për krijimin e një dimensioni te ri të një turizmi shqiptar dhe për të bërë të njohura zonat tona. Në këtë kompeticion, numri i aplikantëve arriti në 63, ku morëm pjesë bashki së bashku me shoqata dhe organizata të ndryshme.

21 festat fituese do të zhvillohen në 21 nga fshatrat e përzgjedhura të programit “100 fshatra”, duke synuar kështu rifreskimin dhe zgjimin e potencialeve të fjetura të traditave dhe dokeve tona, promovimin e turizmit kulturor dhe rural, ushqimin dhe mbi të gjitha prodhimet tona tradicionale. Për ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Peleshi promovimi i një dimensionit të ri, i një infrastrukture të re alternative, për të bërë turizëm në Shqipëri, është rruga më e mirë, për t’u dhënë mundësinë, si turistëve të huaj dhe atyre shqiptarë, të shijojnë traditën e mrekullueshme të Shqipërisë. Sa i përket qarkut Gjirokastër do të mbështeten tre festa lokale: Festa ‘Divani Lunxho’ në fshatin Dhoksat të Lunxhërisë, Festivali i PAN-it, në fshatin Nivicë të Tepelenës dhe festa ‘Gatimet e Gjysheve’ në fshatin Kosinë të Përmetit.