Koronavirusi, 73 persona të vetëkarantinuar në qarkun Gjirokastër, 3 në Libohovë, 1 në Zagori

Shqipëria është e gjitha në karantinë prej disa ditësh nga frika e përhapjes së koronavirusit. Deri më tani numri i të konfirmuarve si të prekur nga Covid-19 në rang vendi është 51.

Ndërkohë në qarkun Gjirokastër janë karantinuar 73 persona, të cilët kanë pasur historik lëvizje në vendet ku virusi ka qenë më parë i përhapur. Konkretisht në Gjirokastër qëndrojnë të izoluar në shtëpi 49 persona, në Dropull 4, në Libohovë 3, në Zagori 1 dhe në Cepo 3.

Pjesa tjetër janë të shpërndarë në zona të ndryshme të qarkut. Deri më tani s’ka asnjë rast të konfirmuar me Covid-19 në qarkun Gjirokastër. Sipas ISHP, harta e infektimit drejt jugut ka mbërritur deri në Fier. Lokalet, restorantet dhe njësitë e tjera të shërbimit kanë mbyllur aktivitetin prej disa ditësh.

Prej dy ditësh në Gjirokastër është ndaluar edhe qarkullimi i automjeteve private. Pritet që karantinimi të vazhdojë edhe për të paktën 2 javë.