Krenar Kulla zgjidhet kryetar i LSI Gjirokastër

image

Krenar Kulla është kryetari i ri LSI-së në Gjirokastër. Zgjedhja e tij u bë sot nga delegatët në Konventën e kësaj partie ku ishte i pranishëm edhe sekretari i Përgjithshëm, Luan Rama.

Kulla ka qenë për 12 vjet kryetar i Komunës Qendër Libohovë, si përfaqësues i Partisë Socialiste. Më pas, me ikjen e Vangjel Tavos te LSI-ja, edhe ai u afrua në strukturat lokale të kësaj partie, duke u shpërblyer me poste drejtuese në administratë gjatë mandatit kur LSI ishte në koalicion me PD-në.

Edhe në vitin 2013 kur LSI nisi bashkëqeverisjen me PS-në, Kulla u emërua në krye të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Gjirokastër.

Vitin e kaluar largohet nga Tatimet për të marrë drejtimin e spitalit rajonal “Omer Nishani”. Në drejtimin e këtij institucioni Kulla u bë protagonist i një skandali të denoncuar në emisionin “Fiks Fare”.

Sipas këtij skandali në cilësinë e drejtorit, Kulla bënte largime nga puna të sanitareve të spitalit përmes shortit me letër me vrimë. Por rasti u fashit pa u marrë ndonjë masë ndaj tij.

Prej sot ai është zyrtarisht kreu i LSI-së në Gjirokastër dhe testi i radhës janë zgjedhjet e përgjithshne të vitit tjetër, ku LSI-ja synon të marrë deputetin e dytë në rang qarku.