Kreu i Emergjencave Civile pyet kryebashkiaken e Gjirokastrës: Përse do ta fusësh në karantinë këtë popull?

Kërkesa e kryebashkiakes Zamira Rami apo edhe peticioni i këshilltarëve të PD-së dhe LSI-së për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Gjirokastër, nuk do të merret parasysh nga qeveria shqiptare. Ky ishte mesazhi i qartë që dhanë sot në Gjirokastër tre zyrtarë të lartë të ardhur nga Tiranë: Shemsi Prençi, kreu i Emergjencave Civile, Viktor Doda, kreu i Shërbimit Gjeologjik dhe Sandër Lleshi, këshilltari i kryeministrit Rama.  Qendrimi i të treve ishte i prerë: S’ka gjendje të jashtëzakonshme sepse kjo situatë ka ardhur nga neglizhenca e Bashkisë Gjirokastër. Ndërkohë ata thanë se pasi bashkia të bëjë gati projektin e ndërhyrjes te pallati, fondi i veçantë do të kalohet me vendim qeverie. Më poshtë qendrimet e tre zyrtarëve.

Shemsi Prençi: ‘Për 300 metër kub që mund të kenë rënë aty te pallati. Përse do ta kalosh këtë popull në karantinë? Ku qëndron bashkia pastaj që të paralizojë gjithë aktivitetin e me një gjendje emergjence, kur në këtë gjendje emergjence nuk mund të veprosh sepse nuk të favorizon koha?”

Sandër Lleshi: ‘Ju keni kërkuar fond shtesë për të përballuar emergjencat e qytetit. Keni një problem të madh këtu. Qeveria nuk është një adresë ku ju postoni të gjitha problemet që vijnë prej mosveprimit këtu. Deri këtu situata ka ardhur nga papërgjegjshmëria juaj”, tha këshilltari i Kryeministrit, Sandër Lleshi.

Viktor Doda: ‘Duhet të ishin marrë masa mbrojtëse për pjesën e sipërme të rrugës, sepse po të ishte mbrojtur pjesa e sipërme e rrugës, nuk do ndodhte kjo ngjarje. Prandaj janë ca përgjegjësi që pushteti lokal duhet t’i vlerësojë maksimalisht. Nuk mund të ndërtohet kudo, nuk mund të lihen njerëzit të bëjnë çfarëdo me ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore”