Kryeministrat shqiptarë që i kanë varret jashtë, mes tyre edhe Eqrem Bej Libohova

971313_686272521399768_357728230_n
Eqrem bej Libohova në të majtë, me uniformë ushtarake.

Nga Roland Qafoku

Nëse një ditë në Shqipëri do të ngrihej një panteon i figurave më të rëndësishme që i kanë dhënë Shqipërisë, problemi më kryesor nuk do ishte ndërtimi i tij. Shumica e këtyre personaliteteve që kanë shkrirë jetën e tyre për Shqipërinë, që i kanë dhënë emër Shqipërisë, madje kanë shkrirë edhe pasurinë për të, e kanë varrin jashtë vendit. Toka e Italisë, Greqisë, Austrisë, Zvicrës e deri SHBA-ve vazhdon të mbajë eshtrat e shqiptarëve që i dhanë vendit të tyre, por që për njëmijë e një arsye jo vetëm emigruan dhe jetuan jashtë tij, por vdiqën jashtë edhe varret i kanë jashtë. Janë 8 kryeministra nga 33 që ka Shqipëria në historinë e saj që nga 28 Nëntori i vitit 1912, që e kanë varrin jashtë dhe që një Zot e di nëse një ditë mund të kthehen në atdhe, shkruan Panorama.

Do të ishte pak që në këtë radhë të ishin vetëm kryeministra e ministra. Pasardhësi i Ismail Qemalit, Turhan Pashë Përmeti, e ka varrin në Itali. I damkosur si tradhtar, ish-kryeministri Esad Pashë Toptani e ka varrin në parcelën serbe, në një varrezë të Parisit. Varri i ish-kryeministrit FanNoli në Boston është shndërruar në njëlloj Meke për shqiptarët e Amerikës. Kryeministrat Mehdi Frashëri, Shefqet Vërlaci dhe Rexhep Mitrovica, i kanë ende varret në Itali në të njëjtën parcelë, ndërkohë që fati i keq e ka shoqëruar edhe në botën e përtejme Eqrem bej Libohovën, varri i të cilit është zhdukur nga një shembje masive dheu. Por, këtë fat të keq e kanë edhe personalitete të letërsisë, artit dhe mendimit shqiptar.

Ikona e paqes botërore, Nënë Tereza, e ka varrin në Indi dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare dy vjet më parë për ta kthyer në atdhe morën refuzimin e prerë të qeverisë indiane. Ideologu i lëvizjes kombëtare shqiptare, Sami Frashëri, ende e ka varrin në Stamboll dhe në çdo përpjekje pala turke ka refuzuar ta bëjë këtë gjë, ndërkohë që eshtrat e dy vëllezërve të tij, Abdyli dhe Naimi, u sollën në atdhe. Mithat Frashëri, nje emblemë e mendimit shqiptar e ka varrin në SHBA. Shkrimtari, publicisti dhe mendimtari Ernest Koliqi e ka ende varrin në Romë. Qazim Mulleti, prefekti i famshëm i Tiranës, por më shumë se kaq, një nga personalitetetmë të rëndësishme në historinë e mendimit shqiptar, e ka varrin në Itali. E gjithë kjo panoramë tregon edhe një herë se politika grindavece e dekadave me radhë që ka shoqëruar Shqipërinë, e ka pikënisjen e saj pikërisht në mungesën e respektit bazë për figurat që kanë bërë historinë. Me të mirat dhe dritëhijet e tyre, por të dënuar si armiq, tradhtarë, kolaboracionistë, ata mbi vete kanë marrë një dënim edhe më të madh se kaq: Të mos kenë në atdhe një vend për varrin e tyre.

KRYEMINISTRAT

1. TURHAN PASHE PERMETI
Kryeministri i 2-të në historinë e shtetit shqiptar
Lindi: 1839
Vendi i lindjes: Përmet
Vdiq: 18 shkurt 1927
Vendi i vdekjes: Neuilly, Francë.
Vendi i varrit: Romë, Itali

2. ESAD PASHE TOPTANI
Kryeministri i 3-të në historinë e shtetit shqiptar
Lindi: 1863
Vendi i lindjes: Tiranë
Vdiq: 13 qershor 1920, në atentat
Vendi i vdekjes: Paris, Francë
Vendi i varrit: Parcela serbe, Paris, Francë

3. FAN NOLI
Kryeministri i 13-të në historinë e shtetit shqiptar, ministër i Jashtëm, deputet, shkrimtar, poet, botues, përkthyes
Lindi: 6 janar 1882
Vendi i lindjes: Ibrik, Tepe, Turqi
Vdiq: 13 mars 1965
Vendi i vdekjes: Selanikboston, SHBA
Vendi i varrit: Boston, SHBA

4. MEHDI FRASHERI
Kryeministër, ministër i Brendshëm, firmëtar i Aktit të Pavarësisë, deputet, ambasador në Lidhjen e Kombeve dhe Guvernator i Izraelit të Palestinës nën Perandorinë Osmane
Lindi: 1874
Vendi i lindjes: Frashër, Përmet
Vdiq: 25 maj 1963
Vendi i vdekjes: Romë, Itali
Vendi i varrit: Romë, Itali

5. REXHEP MITROVICA
Kryeministri i 19-të në historinë e shtetit shqiptar, firmëtar i Aktit të Pavarësisë, ministër i Arsimit, ministër i Kulturës
Lindi: 1888
Vendi i lindjes: Mitrovicë
Vdiq: 21 maj 1967
Vendi i vdekjes: Stamboll, Turqi
Vendi i varrit: Romë, Itali

6. SHEFQET VERLACI
Kryeministri i 12-të në historinë e shtetit shqiptar, njeriu më i pasur në Shqipëri
Lindi: 15 dhjetor 1877
Vendlindja: Elbasan
Vdiq: 21 qershor 1946
Vendi i vdekjes: Zyrih, Zvicër
Vendi i varrit: Romë

7. EQREM BEJ LIBOHOVA
Kryeministri i 17-të i shtetit shqiptar, ministër i Brendshëm
Lindi: 28 Shkurt 1882
Vendi i lindjes: Libohovë
Vdiq: 1948
Vendi i vdekjes: Romë
Vendi i varrit: Romë, Itali. Varri i zhdukur

8. FIQRI DINE
Kryeministri i 20-të në historinë e shtetit shqiptar
Lindi: 1887
Vendi i lindjes: Dibra e Madhe, Maqedoni
Vdiq: 26 nëntor 1960
Vendi i vdekjes: Bruksel, Belgjikë
Vendi i varrit: Bruksel, Belgjikë

PERSONALITETE QE E KANE VARRIN JASHTE SHQIPERISE

1. NENE TEREZA
Humaniste, fituese e çmimit “Nobel” për Paqe
Lindi: 26 gusht 1010
Vendi i lindjes: Shkup, Maqedoni
Vdiq: 5 shtator 1997
Vendi i vdekjes: Kalkuta, Indi
Vendi i varrit: Kalkuta, Indi

2. SAMI FRASHERI
Rilindas, ideolog i çështjes kombëtare dhe shtetit shqiptar, filozof
Lindi: 1 qershor 1850
Vendi i lindjes: Frashër, Përmet
Vdiq: 18 qershor 1904
Vendi i vdekjes: Stamboll, Turqi
Vendi i varrit: Stamboll, Turqi

3. MITHAT FRASHERI
Shkrimtar, mendimtar, kryetar i Partisë Balli Kombëtar
Lindi: 25 mars 1880
Vendi i lindjes: Janinë, Greqi
Vdiq: 3 tetor 1949
Vendi i vdekjes: Nju Jork, SHBA
Vendi i varrit: Nju Jork, SHBA

4. ERNEST KOLIQI
Ministër i Arsimit, shkrimtar, studiues, dramaturg
Lindi: 20 maj 1901
Vendi i lindjes: Shkodër
Vdiq: 15 janar 1975
Vendi i vdekjes: Romë
Vendi i varrit: Romë, Itali

5. QAZIM MULLETI
Prefekti i Tiranës, poliglot, njohës i 9 gjuhëve të huaja
Lindi: 20 dhjetor 1893
Vendi i lindjes: Tiranë
Vdiq: 28 gusht 1956
Vendi i vdekjes: Vicoli Delle Grotte, Romë, Itali
Vendi i varrit: Romë, Itali

6. TAJAR ZAVALANI
Gazetar, shkrimtar, historian
Lindi: 15 gusht 1903
Vendi i lindjes: Manastir, Maqedoni
Vdiq: 19 gusht 1966
Vendi i vdekjes: Londër, Angli
Vendi i varrit: Londër, Angli