Kryeprokurori i Gjirokastrës njësoj si policia, në shërbim të biznesmenit nga Lazarati. Nxjerr një kërkesë të ‘çuditshme’ më datë 31 dhjetor 2019, ora 20:00 (VIDEO)

Pak ditë më parë emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan, denoncoi sesi biznesmeni Islam Buzheri përdorte policinë e Gjirokastrës, për interesa private të firmës së ngritur me paratë e grabitura nga vëllai i vdekur. Por tani Islami ka tentuar të korruptojë edhe prokurorinë.”Stop” dokumenton, sesi kreu i Prokurorisë Gjirokastër, Julian Cafka, shpërdoron detyrën.

Dyshohet, se ky prokuror ka mbyllur një cështje të Islam Buzherit, për evazion fiskal në shumën e rreth 1 milionë eurove. Cafka thotë, se ka patur një lapsus në këtë histori. Në të kundërt, vetëm për 3 fatura tatimore në shumën e 1 milionë lekëve të vjetra, që dyshohet, se nuk janë deklaruar në shtet nga nipi i Islam Buzherit, i njejti prokuror, Julian Cafka, ka regjistruar procedim, madje ka dërguar forcat e policisë, për të sekuestruar magazinën e “GJIBU”, pa vendim gjykate.

Më pas ky prokuror hakmerret ndaj nipit të Islamit për 3 faturat, duke i kërkuar gjykatës në datën 31 dhjetor në orën 20 të mbrëmjes, të inventarizojë magazinën dhe e sekuestron për llogari të Islamit. Ndiqni në videon më poshtë denoncimin e plotë të ‘Stop’./ Tv Klan