Kthimet masive të shqiptarëve në Kakavijë, reagon ambasada greke: Po shkojnë të mbledhin ullinj!
Ambasada greke ka reaguar në lidhje me numrin e lartë të kthimeve në pikat kufitare të shqiptarëve që kërkojnë të kalojnë për në shtetin fqinj. Sipas ambasadës greke të gjitha vonesat apo edhe ndalimet e hyrjes që vihen re këto ditë, janë të zakonshme për çdo vit, gjatë muajve nëntor dhe dhjetor.
Pasi gjatë kësaj periudhe, kryesisht për shkak të mbledhjes së ullinjve, shtohet numri i shtetasve Shqiptarë që kërkojnë punë sezonale në Greqi, pa pasur vizë të posaçme për këtë qëllim, rrjedhimisht nuk plotësojnë kërkesat që parashikon edhe marrëveshja Shengen.
“Nuk ka as edhe një ndryshim për sa u përket kushteve të kalimit në pikat e kalimit në kufijt Greko – Shqiptarë, të cilat zbatojnë ato që parashikon Marrëveshja Shengen për qytetarët e të vendeve të treta që dëshërojnë të vizitojnë zonën Shengen”, thekson ambasada greke në reagimin e saj.
Më tej ajo mohon edhe zërat se kthimet në pikat kufitare janë si “hakmarrje” duke shtuar se 700 mijë emigrantët shqiptarë që kanë zgjedhur të jetojnë në Greqi përbëjnë një tregues të gjallë të bashkekzistencës harmonike midis dy popujve.
“Shkrime të ndryshme që bëjnë fjalë për gjoja “hakmarrje greke” janë tërësisht të pavërteta, nuk i përgjigjen realitetit dhe kanë si qëllim që të krijojnë armiq imagjinarë. Ndjenjat e sinqerta të miqësisë dhe të solidaritetit të Greqisë dhe të popullit grek kundrejt popullit shqiptar, kanë kohështrirje të gjatë dhe nuk mund të vihen në diskutim”, thuhet në reagimin e ambasadës greke.