Kumbaro hedh firmën e fundit si Ministër Kulture, ‘rikthehet’ në Gjirokastër për të koordinuar fushatën elektorale

Mirela Kumbaro pas votimit të sotëm në Kuvend nuk do të jetë më ministre e Kulturës, duke u larguar nga ky post jo vetëm si ministrja më jetëgjatë në këtë dikaster, plot 5 vite e gjysmë, por duke firmosur ditën e fundit në zyrë edhe krijimin e një institucioni të ri në shërbim të kulturës. Është fjala për Qendrën Kombëtare për Librin dhe Leximin, një institucion që e kanë shumë vende të tjera europiane. Kumbaro ka bërë publik vendimin e qeverisë teksa shkruan.

“Krenare qe sot hedh firmen e fundit si Minister i Kultures ne kurorezimin e nje pune 2-vjeçare: Krijohet Qendra Kombetare per Librin e Leximin. Shqiperia, njesoj si Franca, Italia dhe jo vetem, do te kete nje institucion te dedikuar per politikat e programet e Librit, Leximit, Krijimtarise, Edukimit permes Emancipimit te Mendjes! Faleminderit Skuadres se Kultures qe e krijoi dhe Qeverise dhe Kryeministrit Rama, qe e miratoi sot. Faleminderit te gjithe miqve qe mbeshtesin Levizjen Kombetare per Lexim. Ta gezojme!”, shkruan ministrja në largim.

Në vend të Mirela Kumbaros, kryeministri Edi Rama propozoi Elva Margaritin, ndërsa ish-ministrja e Kulturës do të vijojë aktivitetin politik si deputete e Partisë Socialiste, me fokus te veçantë koordinimin e fushatës elektorale në qarkun Gjirokastër.