Kumbaro me operatorët turistikë: Në Tiranë nuk e dinin që Përmeti kishte Qendër Historike! Vizioni ynë, ekonomi përmes turizmit e trashëgimisë

“Shpallja e Qendrës Historike të Përmetit dhe asaj të Bënjës, si dy nga pikat më të rëndësishme historike të zonës së Përmetit, që nuk janë vetëm të bukura, por edhe të rëndësishme nga pikëpamja ekonomike, si një burim të ardhurash, janë dy nga investimet më të rëndësishme të programit të qeverisë sonë”. Kështu ka deklaruar nga Përmeti, kandidatja e PS-së, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro gjatë takimit të zhvilluar me operatorët turistikë të këtij qyteti. Ajo ka folur për programin e rilindjes urbane, i vetmi program që ndërthur në mënyrën e duhur modernitetin me trashëgiminë kulturore dhe qendrat historike duke i kthyer ato në burimin kryesor të të ardhurave për qytetarët.

“Në Tiranë nuk e dinin që Përmeti kishte një lagje të vjetër. Mungesa e promovimit dhe investimeve e kish lënë në harresë këtë pjesë të rëndësishme historike të Përmetit. Po kështu edhe në Bënjë, një tjetër pikë e rëndësishme historike.  Programi i Rilindjes Urbane synon kthimin e tyre në burim të ardhurash” – tha

Kumbaro gjatë takimit me operatorët turistik të qytetit.

Për Kumbaron, vizioni i së ardhmes së afërt të Përmetit është i qartë. Ajo ka theksuar se vetëm në vitin e fundit në Përmet ka patur një dyndje të jashtëzakonshme turistësh falë promovimit dhe investimeve të kryera në këtë qytet, të cilët janë përballur me problematikën e mungesës së shërbimeve hoteliere.

“Fakti  që gjithmonë e më shumë në Përmet ka turistë që vijnë për të bërë rafting, janë eksperienca që ne i shohim se ky duhet të jetë vizioni i së ardhmes së afërt. Vetëm në vitin e fundit ne kemi një dyndje turistësh në Përmet, që praktikisht me shërbimet hoteliere aktuale ju nuk i përballoni dot, që do të thotë se fluksi, promovimi dhe investimi që ne kemi bërë në Përmet, ka ecur më shpejt sesa oferta hoteliere apo  turistike që mund t’i përballojë ata” – u shpreh Kumbaro.

Gjatë takimit zhvilluar me praninë e kryeministrit Rama, operatorët folën mbi eksperiencat e tyre, vështirësitë e këtij sektori si dhe zbuluan se janë kthyer të investojnë në Përmet, pasi kanë pare investimet që janë bërë këto tre vite. Ata  pohuan faktin e shtimit të fluksit të turistëve që vizitojnë Përmetin dhe nevojën e bashkëpunimit me pushtetin qendror dhe lokal për ta kthyer Përmetin në një ndër destinacionet kryesore turistike në vend.