Kumbaro rikthehet tek emigrantët në Janinë: Angazhim maksimal për çka kemi marrë përsipër më 25 qershor

Pas Dropullit, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, shoqëruar nga ministri për Europën dhe Punët e  Jashtme, Ditmir Bushati ka udhëtuar drejt Janinës për tu takuar me emigrantët shqiptarë që jetojnë në shtetin fqinj.
Kumbaro fillimisht falenderoi emigrantët të cilët në 25 qershor u kthyen dhe zgjodhën të votojnë për Shqipërinë që të gjithë duam, teksa theksoi angazhimin maksimal të qeverisë për reformat  dhe zhvillimin e vendit që ka marrë përsipër në këtë mandat të dytë.
Më tej Kumbaro theksoi rolin e rëndësishëm të komunikimit dhe dialogut mes dy vendeve, duke qenë se në shtetin grek jeton edhe numri më i madh i emigrantëve shqiptarë.
“Duke qenë se në Greqi jeton dhe numri më i madh i emigrantëve shqiptarë, interesi jonë është mbarëvajtja dhe komunikimi duke  menduar një hapësirë të përbashkët brenda Bashkimit Europian”, tha Kumbaro.
Më tej deputetja e qarkut të Gjirokastrës prezantoi disa nga projektet e mëdha që qeveria Rama 2 do të zhvillojë në qark, investime në rilindjen rurale të shumë zonave të harruara për t’i kthyer ato në atraksione turistike, duke krijuar kështu një model të qëndrueshëm zhvillimi.