Kumbaro sulmon Dulen nga Derviciani: Kufijtë ekzistojnë vetëm në kokat e disa individëve që duan të bëjnë biznes politik
November 4, 2017
Duke iu përgjigjur interesit të dropullitëve në takimin e zhvilluar ditën e sotme në Dervician, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro njëherësh edhe deputetja e qarkut të Gjirokastrës tha se kufijtë ekzistojnë vetëm në kokat e disa individëve që duan të bëjnë biznes politik.
Ndonëse ajo nuk përmendi emra, duket se ky ishte një mesazh ndaj kreut të PBDNJ, Vangjel Dule. Këtë të fundit kryeministri Rama e sulmoi në Kuvend me po të njëjtin argument, teksa po zhvillohej debati për Himarën.
“Si ministre e Kulturës dua të them se fusha që unë mbuloj, kultura është dëshmitari më i mirë i një hapësire pa kufij. Ndaj dua të them se nëse ekzistojnë kufij, ata ekzistojnë në kokat e disa njerëzve. Prandaj ne jemi këtu për të folur me njëri-tjetrin dhe për t’o thyer këta kufij me punë dhe komunikim”, tha ministrja Kumbaro në takimin që u zhvillua si pjesë e vizitës në qark së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Europës Ditmir Bushati si dhe zv.ministres Artemis Dralo.
Më tej Kumbaro u ndal tek investimet që qeveria po kryen dhe që do të vijoj në Dropull me qëllim zhvillimin e integruar të kësaj zone.
“Dropulli është pjesë e një programi të madh siç është rilindja rurale, si një zonë me potencial të madh zhvillimi ekonomik dhe turistik”, vijoi më tej Kumbaro duke theksuar se Dropulli meriton investime që kanë perspektivë europiane