Kumbaro: Të mos e ndajmë shtetin në parcela, qeveri 100% socialiste

Dinjiteti dhe ardhmja është shumë më e rëndësishme, sesa vota për një qokë personale, ndaj në 25 qershor të gjithë duhet të votojnë masivisht Partinë Socialiste. Këtë mesazh u drejtoi kandidatja e PS-së, Mirela Kumbaro banorëve të lagjes Sede në Përmet.

Ajo tha se pas 25 qershorit PS do ta drejtojë e vetme qeverinë, “sepse nuk duam ta parcelizojmë më shtetin”.

“Dhe pavarësisht nga një hall që mund të keni sot, dinjteti dhe e ardhmja jonë është shumë e rëndësishme. Prandaj në 25 qershor me bindje dhe pasi ta keni menduar mirë duhet të votoni për PS dhe Edi Ramën. Ne do ta drejtojmë Shqipërinë të vetëm, me një qeveri 100% socialiste, sepse nuk duam më ta parcelizojmë shtetin duke thënë “Ky spitali është i LSI, kjo tjetra e PS”. Ministria e Arsimit e PS ishte, por nuk i ndau mësuesit në këtë apo atë parti, por në mësues të mirë dhe mësues të këqinj. Nëse duam rrugë për të gjithë, nëse duam ujë për të gjithë, nëse duam zhvillim për të gjithë, nëse duam bujqësi për të gjithë fermerët se edhe lopët na i bënë me teser partie, atëherë ka vetëm një alternativë: Partia Socialiste. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që nuk kemi alternativë tjetër zhvillimi. Përmeti ka përpara një mundësi të jashtëzakonshme, të vazhdojnë investimet që kanë filluar me ndihmën e shtetit, për tu shtrirë  në rrugët rurale dhe jo vetem kaq”,theksoi Kumbaro.

Ajo bëri thirrje për pjesëmarrje masive në votime, duke thënë se vota nuk është për një deputet, por votë për të vetmen forcë politike që garanton zhvillim për Përmetin, zhvillim për Gjirokastrën, zhvillim për Shqipërinë.

“Në datë 25 qershor secili nga ju duhet të shkojë në votime, duhet të shkojë në votime sepse vota është shumë e rëndësishme. Në radhë të parë duhet të shkojë të votojë, në radhë të dytë duhet të mendojë shumë mirë, se për kë e jep votën dhe nuk duhet ta japë për një qokë personale. Votën nuk ia jepni deputetit, vota nuk është për mua, nuk është për Mirelën apo Elvirën. Vota është për atë skuadër që bën zhvillim për Përmetin, zhvillim për Gjirokastrën, zhvillim për Shqipërinë. Jemi të vetmit që kemi një skuadër e drejtuar nga një kryeministër që punon për të gjithë”.