Kush ishin firmëtarët e Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë

deklarataemvehtsisorigjShqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare ndërsa 40 firmëtarët ishin ata të cilët nënshkruan aktin e Pavarësisë. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë.

Ismail Qemal bej Vlora (1844-1919)

Ngriti flamurin në Vlorë. Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Kryetar i Qeverisë së Përkohshme, Ministër i Jashtëm, diplomat, guvernator, atdhetar.

Më 28 nëntor, ngriti flamurin shqiptar në Vlorë. Deklaroi në Vlorë pavarësinë e Shqipërisë. Firmosi i pari Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ismail Kemal”.

Në deklaratë shkruhej ; “Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/ 1912. Pas fjalëve që tha z.Kryetari Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një za venduan që Shqipëria më sot të bahet në vehte, e lirë e mosvarme”.

Ismail Qemal bej Vlora u zgjodh kryeministër Qeverisë së Përkohshme Ndihmoi lëvizjen e armatosur të shqiptarëve në kryengritjet e përgjithshme të viteve 1910-1912. Më 22 janar 1914 jep dorëheqjen dhe pushtetin ja dorëzon Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Largohet nga Shqipëria për në Itali ku edhe vdes në rrethana të dyshimta më 24 janar 1919.

Dom Nikollë Kaçorri (1862-1917)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Klerik i lartë, atdhetar, patriot dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare.Mori pjesë në lëvizjen politike-kulturore-kombëtare. Gjatë kryengritjes së Kurbinit 1905-1907, hyri si ndërmjetës midis popullsisë dhe administratës osmane që të shmangte gjakderdhjen. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908) dhe në Kongresin e Elbasanit (1909).

Përfaqësues i krahinës së Durrësit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ku u zgjodh nënkryetar i qeverisë së përkohshme. Firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” Kaçorri “.

Vehbi Dibra Agolli (1867-1937)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Klerik i lartë. veprimtar i lëvizjes kombëtare shqiptar, Mori pjesë në vitin 1909 në Kongresin e Dibrës, mbështeti alfabetin me shkronja latine të Kongresit të Manastirit.

Më 28 nëntor 1912 në krye të delegatëve të Dibrës, merr pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ku u zgjodh kryetar i Pleqësisë. Ka luajtur rol të rëndësishëm në organizmin e kryengritjes shqiptare të vitit 1913 kundër pushtimit serb në zonën e Dibrës. Në vitin 1920 mbështeti përpjekjet për rimbëkëmbjen dhe demokratizimin e shtetit të pavarur shqiptar.

Jorgji Karbunara – Bab Dud Karbunara (1842-1917)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Atdhetar dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Punoi shumë për hapjen e shkollave shqipe në Berat. Jorgji Karbunara ishte përfaqësues i Beratit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” J. Karbunara “. Në këtë Kuvend, ai u zgjodh anëtar i Pleqësisë.

Elmas Boce (1850-1925)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Mori pjesë në organizimin e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1880.

Elmaz Boce, ndihmoi pa kursyer hapjen e shkollës shqipe të Gjirokastrës “Lirija”. Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” Elmas Boce ”

Qazim Kokoshi (1882-1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar për përhapjen e gjuhës shqipe, patriot, njeri me bindje dhe pikpamje demokrate. Zgjidhet delegat i Vlorës në Kuvendin e Gërçes në vitin 1911. Merr pjesë në kuvendin e Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën ” Qazim Kokoshi”.

Në vitin 1921, zgjidhet deputet i qarkut të Vlorës në Këshillin Kombëtar. Rregjimi komunist e arreston dhe burgos. i izoluar në hetuesinë e Vlorës, vdes nga torturat.

Jani Minga (1872-1947)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i shkollës shqipe, i Rilindjes Kombëtare dhe i lëvizjes demokratike 1920-1924.

Ishte ndër nismëtarët e hapjes së klubit patriotik ” Labëria ” dhe të shkollës së parë shqipe në Vlorë (1908). Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” J. Minga”.

Rexhep Mitrovica (1888-1960)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, intelektual, deputet, ministër, kryeministër. Mori pjesë si delegat i Pejës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe ishte njeri nga nënshkruesit e deklaratës së Pavarësisë. Një nga themeluesit e Partisë Kombëtare (1914), anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Zgjidhet senator i Kosovës në Këshillin Kombëtar të Lushnjes.

Dhimitër Tutulani (1875-1937)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare.

Në nëntor të vitit 1912, zgjidhet delegat i Beratit në Kuvendin historik të Vlorës, ku nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë, me siglën “Dh. Tout.”. Në vitin 1918 ishte delegat në Kongresin e Durrësit dhe në vitin 1920 në Kongresin e Lushnjes. Në vitin 1925 kreu detyrën e kryetarit të Bashkisë së Beratit.

Abas Dilaver (Çelkupa) (1850 – 1926)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare.

Gjatë viteve 1905-1907 u lidh dhe bashkëpunoi me atdhetarët e njohur të asaj kohe si Dom Nikoll Kaçorri etj. Priti në Durrës Ismail Qemalin e më pas, bashkë me delegatët që e shoqëronin atë, mori pjesë në mbledhjen e parë Kuvendit të Vlorës. Delegat i Durrësit, Deklaratën e Pavarësisë, e firmosi me siglën “Abas Dilaver”.

Shefqet Dajiu (1882-1946)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i përhapjes së gjuhës shqipe dhe i lëvizjes kombëtare.

Në nëntor të vitit 1912, zgjidhet si përfaqësues i Elbasanit në Kuvendin historik të Vlorës për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Shefqet Daji”. Në vitet 1920-1923 është deputet i Elbasanit në parlamentin shqiptar. Shefqet Dajiu arrestohet dhe burgoset në vitin 1945. Vdes në burg në vitin 1946.

Xhelal Koprencka (1876-1919)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Nismëtar për hapjen e shkollave shqipe në vitin 1908 në Skrapar, veprimtar i lëvizjes kombëtare për pavarësi

Zgjidhet delegat i Skraparit në Kuvendin e Vlorës dhe ishte një nga 40 firmëtarët e Aktit të shpalljes së Pavarësisë kombëtare në vitin 1912, dhe firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Xhelal Ko.”. Zgjidhet anëtar i Pleqësisë.

Hajredin Cakrani (1860-1940)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë.

Në vitet 1908-1909, bashkëpunoi ngushtë me klubet atdhetare ” Labëria ” të Vlorës dhe të Filatit. U zgjodh delegat i Mallakastrës në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor të vitit 1912, ku firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Hajredin Cakrani”. Pjesëmarrës në luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë.

Iljaz Vrioni (1882-1932)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Nën-kryetarit i Lidhjes së Prizrenit, deputet, ministër, kryeministër.

Në nëntor të vitit 1912 zgjidhet delegat i Beratit në Kuvendin historik të Vlorës, ku nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë, me siglën “Iljas Vrijon”. Në vitin 1920, zgjidhet delegat i Beratit në punimet e Kongresit të Lushnjës. Katër herë Kryeministër i Shqipërisë dhe disa herë si Ministër i Jashtëm dhe si Ministër i Plotfuqishëm i Shtetit Shqiptar në Paris.

Murad Toptani (1867-1918)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Poet, publicist.

Mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912 si delegat i Tiranës dhe firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Murad Toptani”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës, Esat Pashë Toptani (kushëri i tij), i dogji shtëpinë dhe një pjesë të madhe të pasurisë së tij që ndodhej brenda saj si: libra, korrespondencën, antikuarë.

Luigj Gurakuqi (1879-1925)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, ministër, deputet, gjuhëtar, poet, publicist.

Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908), ku u zgjodh edhe anëtar komisioni për njehsimin e alfabetit. Pjesëmarrës në kryengritjen e malësorëve të Mbi Shkodrës dhe bashkë hartues me I. Qemalin i Memorandumit të Greçës. Gjatë vitit 1912, ishte ndër organizatorët e kryengritjes së përgjithshme. Në Kuvendin e Vlorës për shpalljen e pavarësisë, si përfaqësues i Shkodrës, firmosi Deklaratën e Pavarësisë nën siglën ” Luz Gurakuqi “.

Ministër i Arsimit në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris. Deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar dhe përsëri përfaqësues i Shkodrës në Kuvendin Kushtetues në vitin 1924. Ministër i Financave në qeverinë e Nolit. U vra në Bari në 2 mars 1925.

Spiridon Ilo (1876-1950)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Patriot, atdhetar.

Shoqëron Ismail Qemalin në udhëtimin Trieste-Durrës-Vlorë. Merr pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Spiro T. Ilo”. Në vitin 1914, përfshihet në çetën e Themistokli Gërmenjit në luftimet kundër shovinistëve grekë.

Thanas Floqi (1884-1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Jurist, veprimtar i lëvizjes kombëtare, publicist, gjuhëtar, botues, kompozitor, përkthyes.

Mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” Thanas V. Floqi “. Më pas punoi si jurist në administratën shtetërore në Vlorë.

Lef Nosi (1873-1946)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, albanolog, studiues, deputet, ministër

Në nëntor 1912 ishte delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” Lef Nosi “. Në qeverinë e Ismail Qemalit, Lef Nosi caktohet në detyrën e ministrit. Anëtar i delegacionit shqiptar pranë Konferencës së Paqes në Paris. Në vitin 1945 u burgos dhe dënua me vdekje. U pushkatua në vitin 1946.

Nuri Sojliu (1870-1940)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë.

Mbështeti Kongresin e Elbasanit dhe atë Manastirit, ku mbështeti alfabetin latin të gjuhës shqipe. Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Strugës në në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” Nuri “. Nuri Sojliu mbështeti lëvizjet politike me frymë demokratike të viteve `20.

Ferit Vokopola (1887-1967)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Teolog, ekonomist, poet, publicist, ministër, deputet

Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Lushnjes në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” M. Ferit Vokopola “. Ferid Vokopola ishte përfaqësues i Beratit, në Parlamentin shqiptar nga viti 1923-1939. Ministër i Bujqësisë në kabinetin e Iljaz Vrionit (1927-1928).

Ymer Deliallisi (1873-1944)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë.

Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” Ymer “. Në vitin 1920, përfaqëson nënprefekturën e Shijakut në Kongresin e Lushnjes, ku edhe zgjidhet senator.

Xhemal Deliallisi (1880-1941)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë.

Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën ” Xhemmalyyddin bej “. Ngarkohet me detyra në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës dhe më pas në administratën e Princ Vidit.

Mustafa Merlika Kruja (1887-1958)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Deputet, ministër, Kryeministër, albanolog

Si delegat i Krujës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912, firmosi Aktin e Pavarësisë kombëtare, me siglën “Mustafa Asim Kruja” ku u zgjodh dhe anëtar i Pleqësisë. U caktua nënprefekt në Vlorë dhe më pas sekretar i parë i Qeverisë së I. Qemalit.

Më 1919 ishte sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte deputet i Kosovës në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1921. Pas ardhjes së komunizmit u detyrua të arratisej. Mustafa Kruja vdiq në SHBA më 27 dhjetor 1958, në moshën 71-vjeçare.

Abdi Toptani (1864-1942)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, ministër.

Në vitin 1902 organizoi kryengritjen e armatosur të malësorëve të Shëngjergjit e të Shupalit kundër dhunës së administratës osmane.

Në Kuvendin e Vlorës ai firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Abdi”. U zgjodh ministër i Financave në Qeverinë e parë shqiptare.

Veli Harçi (1850-1914)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, intelektual.

Veli Harçi ishte një intelektual i formuar. Veprimtar i klubit patriotik të qytetit, ai përfaqësoi Gjirokastrën në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Veli Harçi”.

Nebi Sefa (1861-1942)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar.

Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1911 dhe 1912. Në nëntor të atij viti u zgjodh delegat i Lushnjes për në Kuvendin e Vlorës. Ku nënshkroi Aktin e Pavarësisë me siglën “Nebi Sefa Lushja”. Në vitet `20 përkrahu kursin politik të ndjekur prej forcave fanoliane.

Mit’hat Frashëri (1880-1949)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, intelektual, deputet, patriot, ministër

Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, më 1908 ku u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit. Në Kuvendin e Vlorës, Frashëri ishte delegat i Elbasanit dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Mid’hat Frashëri”. Në qeverinë e Ismail Qemalit zgjidhet ministër i Punëve të Përgjithshme. Në janar 1923 fillon detyrën e ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë, deri në dhjetor 1925.

Më 1941 është një nga themeluesit e Organizatës Nacionaliste – Balli Kombëtar. U detyrua në nëntor 1944 të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Nuk u pajtua kurrë me komunizmin. Komunistët e detyruan të birin e Abdyl Frashërit, të ikte nga Shqipëria. Vdiq në Neë York, SHBA, më 3 tetor 1949.

Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885-1957)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, ministër.

Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1911. Në Kuvendin e Vlorës, si delegat i Vlorës, firmosi në Aktin e Pavarësisë me siglën “Zihni Abbas Kanina”. U zgjodh drejtor i përgjithshëm në ministrinë e Punëve të Jashtme. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Kanina u bë pjesë e Ballit Kombëtar, përkrah Mit’hat Frashërit. Në vitin 1951 u arrestua dhe u burgosë, derisa vdiq, më 1957.

Qemal Karaosmani Elbasani (1875-1949)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, patriot, deputet.

Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Elbasanit në kuvendin e Vlorës dhe u caktua të shoqëronte Ismail Qemalin nga Durrësi për në Vlorë. Firmosi Aktin e Pavarësisë kombëtare, me siglën “Qemal Elbasani”. Mbështeti qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes dhe për disa vite ishte asamblist.

Ai u persekutua nga regjimi komunist.

Sali Gjuka (1876-1925)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar.

Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910-1912.

Si përfaqësues nga Kosova dhe delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, mori pjesë në shpalljen e pavarësisë kombëtare dhe firmosi Aktin me siglën “Salih Gjuka”. U zgjodh këshilltar i Pleqësisë. Në janar 1913 filloi punën si drejtor i arsimit për qarkun e Beratit.

Dhimitër Berati (1888-1970)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, diplomat, ministër

Firmos Aktin e Pavarësisë së 28 nëntorit 1912, nën siglën “D. Beratti”, si delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Berati u emërua sekretar i kryetarit të Qeverisë, anëtar i Pleqësisë si dhe u caktua drejtor i përgjithshëm në gazetën e qeverisë së Vlorës. Në Konferencën e Paqes më 1919 ishte delegat i shqiptarëve të Bukureshtit.

Dhimitër Mborja Emanoil (1884-1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë.

Më 28 nëntor 1912, firmos Aktin e Pavarësisë me siglën “Dh Emmanuel” në emër të

kolonisë së Bukureshtit. Në shkurt 1915 zgjidhet këshilltar pranë shoqërisë së “Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit”. Më 1924 mbështet qeverinë e Nolit. Ishte kundër rregjimit komunist.

Dimitër Zografi (1878-1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar.

U zgjodh delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit për të marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912 firmosi vendimin e Pavarësisë me siglën “Dimitri Zografi”. Anëtar i Pleqësisë. Kundërshtoi vendimet e padrejta të Konferencës së Parisit në kurriz të popullit shqiptar dhe firmosi protesta drejtuar kryesisë së saj në qershor 1919.

Pandeli Cale (1879-1923)

Firmetar i Aktit të Pavaresise, atdhetar, ministër, deputet.

Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910 – 1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës. Merr pjese në mbledhjen e Bukureshtit të 5 nëntorit 1912 dhe shoqëron Ismail Qemalin për në Shqipëri.

Me 28 nëntor 1912, si delegat i Korces, firmos Aktin e Pavaresise me siglen “Pandeli Cale”. Zgjidhet anëtar i qeverisë së parë shqiptare. Merr pjesë aktive në lëvizjen patriotike që çoi ne Kongresin e Lushnjës me 1920. Po atë vit ishte Prefekt i Korçës, ndërsa ne shkurt 1921 deputet ne te parin parlament shqiptar.

Firmëtar Qemal Mullaj (1881-1966)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, deputet

Si delegat i Lushnjës, në nëntor 1912 mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës dhe firmosi Aktin e shpalljes së Pavarësisë me siglën “Qem. Mullaj”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës dhe me nisjen e Luftës i Botërore u largua nga Shqipëria. U kthye në atdhe rreth vitit 1920, për t’u rimarrë përsëri me politikë. Deputet në parlamentin e parë shqiptar.

Bedri Pejani (1885-1946)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë.

Delegat në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910) dhe sekretar i Komitetit të Kosovës (1918-1924).

Në nëntor 1912, mori pjesë si përfaqësues i Plavës, Gucisë, Gjakovës dhe Pejës në mbledhjen e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Bedri Pejan”. Në vitin 1943 ishte nga nismëtarët për krijimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” dhe deri në vitin 1944 kryetar i saj.

Pas luftës u arrestua në Shqipëri. Vdiq sapo doli nga burgu, në vitin 1946.

Qemal Mullaj (1881-1966)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, deputet

Si delegat i Lushnjës, në nëntor 1912 mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës dhe firmosi Aktin e shpalljes së Pavarësisë me siglën “Qem. Mullaj”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës dhe me nisjen e Luftës i Botërore u largua nga Shqipëria. U kthye në atdhe rreth vitit 1920, për t’u rimarrë përsëri me politikë. Deputet në parlamentin e parë shqiptar.

Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) (1876-1937)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, mjek, patriot

Në nëntor të vitit 1912, Dr. Myrteza Ali Struga, së bashku me Zyhdi Ohrin dhe Nuri Sojliun u zgjodhën delegatë të Ohrit e Strugës për në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Dr. H. Myrteza Aliu”. Përsëri si përfaqësues i Ohrit e Strugës ishte delegat në Kongresin e Lushnjës më 1920.

Aristidh Ruci (1875-1950)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar.

Merr pjesë në kryengritjen e përgjithshme më 1911. Ishte delegat i Vlorës në Kuvendin që shpalli pavarësinë dhe firmosi Aktin me siglën “A. Ruci”. U zgjodh anëtar i kryesisë së Bankës Kombëtare Shqiptare më 1937.

Zyhdi Ohri (1872-1938)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, senator.

Në vitet 1898-1900 u përfshi në veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Pejës. Në nëntor 1912, i zgjedhur nga Ohri si delegat, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Zuhdi Ohri”. Ishte pjesë e Senatit të dalë nga qeveria e Ismail Qemalit. Në janar 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës.

Sulejman Delvina (1884-1932)

Ministër, Kryeministër.

Kryeministër i qeverisë i dalë nga Kongresi i Lushnjës. Përfaqësues në Konferencën e Paqes në Paris. Mori pjesë në revolucionin e Qershorit 1924 dhe në qeverinë e kryesuar nga Fan Noli u emërua ministër i Punëve të Jashtme për periudhën nga 16 qershor 1924 – 23 dhjetor 1924. Pas dështimit të këtij revolucioni, Delvina u largua nga Shqipëria. Më vonë i sëmurë u kthye në Shqipëri dhe vdiq në Vlorë në vitin 1933. Në korrik 1911 udhëhoqi manifestimin e studentëve shqiptarë në Stamboll për të mbështetur alfabetin dhe kërkesat shqiptare.

delegatetVlores1