Kush shet karta celulari pa autorizim dënohet 15 deri në 30 ditë burg
Kush shet karta celulari pa patur autorizim për ta bërë dënohet me 15 deri në 30 ditë burg. Drejtori i Kabinetit të Autoritetit së Komunikimeve Elektronike, thotë se këto ndryshime në ligj u bënë pikërisht për të mos lejuar abuzimin që bën krimi duke kryer shpërthime tritoli parmes telefonave.
Rudolf Papa, sqaron se dënim penal ka edhe për operatorët ose shitësit të cilët japin kartën telefonike pa marrë më parë të dhënat e tij. Nisur nga rastet e ndodhura ditët e fundit, ku janë identifikuar dy pronarët e kartave SIM, Papa shprehet për Vizion Plus se ligji ka funksionuar dhe operatorët kanë bërë regjistrimin e duhur të numrave, por në këtë rast se ku është gabimi duhet gjetur nga organet hetimore.
Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, nëse do të ishin regjistruar numrat IMEI-t atëherë do të ishte më i thjeshtë identifikimi i autorëve që përdorin shpërthimet me tritol të telekomanduara. IMEI do të siguronte që çdo aparat telefonik të ishte i regjistruara nga operatorët celularë dhe të identifikohej pronari i aparatit, por një nismë ligjore e marrë 8 muaj më parë nga qeveria u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.