Ky është bilanci i përmbytjeve në Gjirokastër. A do të ketë dëmshpërblim?

Tani që faza e emergjencës kaloi, në Gjirokastër ka nisur përllogaritja e dëmve të shkaktuara nga përmbytjet e javës së shkuar. Sipas Drejtorisë Rajonalë të Bujqësisë, janë rreth 1 mijë hektarë tokë e përmbytur, nga të cilat 800 hektarë u përmbytën për shkak të moskullimit të tokave dhe mosfunksionimit të kanaleve kulluese, ndërsa 200 hektarë të tjerë janë përmbytur nga dalja nga shtrati e lumenjve.

Sa i përket dëmeve në blegtori, janë rreth 50 kokë bagëti të ngordhura në Lunxhëri. Ato u zunë brenda stallës nga një rrëshqitje masive dheu. Në fshatin Picar në një rezervuar janë zhdukur rreth 8 ton peshk, ndërsa në lagjen ‘Gërhot’ janë dëmtuar 100 koshere me bletë.

Dëmte të tjera të konsiderueshme kanë pësuar edhe shumë biznese në pjesën e poshtme të Gjirokastrës. Pas vlerësimit të saktë të dëmeve qeveria ka parashikuar dëmshpërblim, por siç tha Kryeministri, do të bëhet i detyrueshëm me ligj sigurimi i bizneseve dhe shtëpive nga fatkeqësitë natyrore.