Lamtumira e një legjende në ndeshjen Kosovë – Shqipëri

ekskluzive-lamtumira-e-nj-euml-legjende-n-euml-ndeshjen-kosov-euml-ndash-shqip-euml-ri_hdArmend Dallku padyshim që është njëri nga lojtarët më të mirë të mbrojtjes që ka pasur Kombëtarja shqiptare.

Mbrojtësi vushtrrias ka pasur veshë fanellën e Kombëtares për nëntë vite radhazi, ndërsa ka luajtur hiq më pak se 64 ndeshje.

Në vitin e fundit Dallku nuk ka qenë i grumbulluar nga Kombëtarja shqiptare, mirëpo ai mbetet një legjendë e ‘kuqezinjve’ me kontribut të madh për Shqipërinë.

Ai ka vendosur që t’i jap lamtumirën Kombëtares në një ndeshje speciale siç është ajo mes Kosovës dhe Shqipërisë që do të zhvillohet më 13 nëntor në Prishtinë.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Dallku tregon se ka filluar bisedimet me FSHF-në për një gjë të tillë.

“Kam filluar bisedimet me Federatën e Futbollit të Shqipërisë dhe këto ditë do të bisedojë edhe më FFK-në për të rënë dakord për detyrat tona”, shprehet Dallku për Telegrafin.

Ai thotë se ka pasur mundësi edhe më herët të përshëndetet nga Kombëtarja, por ndihet i privilegjuar që një gjë të tillë do ta bëjë në ndeshjen Kosovë – Shqipëri.

“Kam pasur mundësi edhe më herët që t’i jap lamtumirën Kombëtares por tani ka ardhur momenti”.

“Ky është fati im dhe ndihem i privilegjuar që një gjë të tillë do ta bëjë në një ndeshje historike mes Kosovës dhe Shqipërisë. Jam shumë i nderuar për këtë gjë”, u shpreh Dallku për Telegrafin.

32-vjeçari vazhdon të jetë pjesë e skuadrës ukrainase Vorskla Poltava ku është edhe kapiten i klubit të njohur ukrainas.