Lamtumirë aktorit të roleve episodike, Aristotel Stefanit!

dfgdfgdfArtisti Aristotel Stefani (1931- 2015) është ndarë nga jeta ditën e djeshme pas një ataku në zemër. Në nderim të tij, sot do të zhvillohen homazhet në teatrin e Gjirokastrës. Aristotel Stefani, i njohur ndryshe si Teli , ka lindur në Lliar të Zagorisë në Gjirokastër. Ai është një nga emrat më të spikatur të kinemasë edhe teatrit shqiptar për rolet episodikë, me të cilët ka krijuar një karrierë të spikatur qysh para viteve ‘90. Fillimisht punonte në Kuçovë si mekanik në naftë. Aty ku nisi të bjerë në sy talenti edhe aftësia për të treguar e interpretuar materialet. Pikërisht kjo dëshirë e madhe, ky talent e shtynë edhe më tej në botën e pafundme të artit. Rrugën e artit e nisi me grupin amator të klubit të Kuçovës. Kur punonte, ai zhvillonte edhe pasionin e tij për aktrim. Në vitin 1956 ka kontribuuar për ndërtimin e Estradës Profesioniste të Gjirokastrës.

Këtë kontribut e vazhdoi deri në vitin 1966, ku njëkohësisht punonte edhe si regjisor i trupës. Gjatë kësaj periudhe ka qenë edhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Gjirokastër. Për nëntë vjet të tëra ai ishte njëherësh edhe regjisori i trupës në Pallatin e Kulturës, derisa u vendos përfundimisht në trupën e teatrit të qytetit. Si aktor teatrit të Gjirokastrës, Teli është shquar në dhjetëra role, duke demonstruar aftësitë e tij, karaktere të veçanta e një humor të bukur popullor, fryt i punës së madhe, që bënte ky aktor për mishërimin edhe përvetësimin e rolit. Roli i tij te “Përrallë nga e kaluara”, i skalitur edhe interpretuar plot mjeshtëri prej tij, mbahet mend edhe do të ngelet gjatë në kujtesën e shqiptarëve. E veçantë ka qenë edhe pjesëmarrja e tij në komedinë “14 vjeç dhëndër”, pasi ajo është shkruar nga një tjetër zagorit i madh, nga Andon Zako Çajupi. Kur u luajt në teatër Teli, interpretoi rolin e priftit, për të cilin u vlerësua maksimalisht nga kritika. “Komedia “14 vjeç dhëndër”, ka patur vlerë të veçantë për mua, pasi ishte krijim i Çajupit, dhe i kushtohej pikërisht zakoneve, traditave, mendësive, veshjes së krahinës, edhe rolin që më ofroi më pas Anagnosti te “Përrallë nga e kaluara”, e prita me shumë dëshirë dhe iu përkushtova tërësisht”, është shprehur aktori gjatë një interviste profil për mediet. Çdo teatër në rrethe kishte një bërthamë të mirë aktorësh, të cilët interpretonin vazhdimisht edhe në filmin shqiptar. Fama e tij si aktor karakteresh doli pikërisht në filmin artistik.

Pengesat, që i prenë një pjesë të suksesit

“Kam një histori shumë të dhimbshme. Kur më ka kërkuar regjisori Viktor Gjika që të interpretoja për herë të parë në film, atëherë kur asnjë tjetër nuk ishte ftuar nga Gjirokastra, pasi shkova në Tiranë për kinoprovën u ktheva në shtëpi, edhe më lajmëruan me telegram se kisha fituar. Por kur erdhi telegrami se drejtori i filmit duhet që të më merrte për xhirime në Korçë, mua nuk më lanë as nga Komiteti i Partisë, edhe as nga drejtoria e teatrit. Kjo gjë mua më vrau, sepse ishte një rol në film për herë të parë. Madje mbaj mend se për 15 ditë nuk vajta në punë, vetëm qaja”, ka rrëfyer artisti, i cili do të mbahet mend edhe për skeçet, monologjet, dialogjet, edhe këngët. Në Teatrin e Gjirokastrës ka interpretuar në mbi 50 role, por edhe në kinematografi ka marrë pjesë në mbi 14 filma. Roli i fundit ka qenë te “Ballkan Pazar”. Në galerinë e tipave të tij janë mbi 14 filma artistikë, ku shfaqet talenti dhe bie në sy interpretimi i bukur i Teli Stefanit. “Është nder për mua, që kam bashkëpunuar me Piro Manin, me Dhimitër Anagnositn, Viktor Gjikën”, është shprehu ai. Mes këtyre roleve tipikë mund të përmendim pjesëmarrjen e tij të suksesshme në filmat: “Njeriu me top”, “Liri a vdekje”, “Koncert në vitin 1936”, “Dritat e qytezës”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Dasma e Sakos”, edhe shumë role të tjera. Është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi”./Shekulli